Dështon miratimi i amendamenteve për ndryshime kushtetuese|Video
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

Dështon miratimi i amendamenteve për ndryshime kushtetuese|Video

M.Miftari/RTKlive

(E plotësuar, 12:52) Në mungesë të 2/3 të deputetëve jo-shumicë, ka dështuar miratimi i tri amendamenteve për ndryshime kushtetuese ku parashihej miratimi i “Vetting-ut”, në sistemin e drejtësisë.

Në sallë janë 87 deputetë, derisa deputetë të minoriteteve janë 8, e që për të bërë ndryshime kushtetuese, duhet të jenë  të pranishëm 14 deputetë jo-shumicë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, lidhur me ndryshime kushtetuese, tha se meqë nuk janë prezentë 14 deputetë jo-shumicë, nuk ekzistojnë kushtet për të realizuar një gjë të tillë.

Haxhiu: Vetting-u fuqizon dhe pavarëson sistemin e drejtësisë

(E plotësuar, 12:30) Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, tha se preoesi i ‘Vetting-ut, është me qëllim fuqizimi i drejtësisë, kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë deh, sikundër vlerësoi ajo, pavarësimit të sistemit të drejtësisë.

Ministrja Haxhiu përkujtoi se ‘Vetting-u’ ka qenë një nga  zotimet e pushtit aktual para qytetarëve të vendit, derisa përmendi edhe, siç tha ajo, pengesat që kishin për qëllim pengimin e reformës në drejtësi.

Tutje, ajo përmendi në mënyrë kronologjike disa veprime që ndërlidhen me reformën në drejtësi.

Opozita, me disa vërejtje, unike për votimin e Vetting-ut

(E plotësuar, 12:15) Partitë opozitare, me gjtihë vëretjet e paraqitura nga ta në procesin e amendamentimit, u deklaruan unik për votimin e Vetting-ut.

Ndërkaq Abelard Tahiri, kryetar i GP të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se si grup parlamentar i PDK-së ka përkrahur procesin e ‘Vetting-ut’, që sipas tij, është një proces i pashmangshëm dhe duhet të ndodhë në kuadër të gjyqësorit dhe të prokurorisë së vendit.

Ai, tutje shtoi se ky proces duhet të bartet nga Kuvendi që të gëzojë një konsensus të gjerë partiak, për, siç tha ai, duhen ndryshime kushtetuese, për të qenë proces sa më transparent.

Më tej, Tahiri shtroi disa vërejtje gjatë këtij procesi të draftimit që i është dërguar Gjykatës Kushtetuese e që ka të bëjë me cenueshmërinë e integritetit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, si dhe të pasurisë së pajustifikueshme.

“E rëndësishme është që të mos pakësohen të drejtat dhe liritë e njeriut gjatë këtij procesi”, vuri në dukej Tahiri.

Ai shtoi se nga ky proces nuk duhet të hiqet dorë.

E kryetari i GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, përmendi shkakun e arritjes së konsensusit për këtë çështje e që sipas tij është edukimi politik.

“Sa i përket këtij procesi të ndjeshëm politik dhe kushtetues,  duhet pasur në konsideratë disa elemente, që ka shkaktuar arritjen e konsensusit, e që sipas tija është edukimi politik për pushtetin aktual”, deklaroi Gashi.

Ai vuri në dukje tendencën e pushteti aktual tendencën e kapjes së institucioneve të pavarura, sidomos gjyqësorin; pastaj, vijoi ai, koncepti i cenueshmërisë që mundësojnë abuzimin nga pushteti.

Gashi më tej tha se ideja jonë është që të kemi një drejtësi efikase.

Ai tha se Kosova është në prag të anëtarësimit në KE dhe me këtë akt, qytetarët e Kosovës marrin të drejtën t’u drejtohen edhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e që, sipas tij, mundëson që drejtësia të mund të ndajë drejtësi e jo padrejtësi.

Kurse deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha se kjo parti i mbështesin tri Propozim-amendamente Kushtetuese për Vetting-un, por sipas tij, këto ndryshime kushtetuese nuk mund të bëhen pasi në seanca nuk merr pjesë Lista Serbe.

Lekaj tha se AAK-ja ka dhënë kontribut të gjithë në atë komision.

“Kemi pasur diskutime te mjaftueshme por ne fund kemi ardhur deri të pajtimi dhe përkrahja për Vetting-un... Ne si AAK kemi përkrah këto ndryshim dhe për hir të një konsensusi ne do t’i përkrahim, por ju e dini që duhet edhe dy të treta të komuniteteve”, ka thënë Lekaj.

Rrustemi: ‘Vettingu’ nuk ka alternativë

(E plotësuar, 11:40) Adnan Rrustemi, deputet nga radhët e LVV-së, në emër të kësaj partie reagoi ndaj fjalimit të nënkryetarit të Kuvendit, Kujtim Shala, duke folur për konsensusin ndërpartiak lidhur me Komisionin Ad Hoc, si dhe për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

“Ky komision ka bërë një punë të madhe dhe transparente, ku ka diskutuar gjatë me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë”, deklaroi Rrustemi.

Tutje, Rrustemi vuri në pah, sipas tij, shkeljet e prokurorëve dhe të gjyqtarëve, të cilët kanë marrë një dënim simbolik, por ai, vuri në dukje edhe avancime të kundërligjshme, teksa përmendi ligjin për vetting-un.

Ai, po ashtu vlerësoi se për miratimin e këtyre amendamenteve kërkon një konsensus të gjerë politik, derisa shtoi se vettingu nuk ka alternativë.  

Nis seanca plenare e Kuvendit

(E plotësuar, 11:12) Kuvendi i Kosovës nisi seancën e sotme plenare. Deputetët e Kuvendit në seancën e sotme parlamentare, do të diskutojnë  për shumë pika, ku shumica e tyre kanë të bëjnë me marrëveshjet ndërkombëtare.

Deputetët, në seancën e veçantë plenare, pritet të bëjnë Shqyrtimin e tri Propozim-amendamenteve Kushtetuese, me nr.28, 29 dhe 30.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala, dhe 39 deputetë të tjerë, në kuadër të procesit të punës në Komisionin Ad Hoc, për zhvillimin e procesit kalimtar, kanë propozuar tri amendamente kushtetuese  e që Gjykata Kushtetuese, më 25 janar të këtij viti ka nxjerrë aktgjykimin e saj në të cilën ka konstatuar se tri amendamentet e propozuara nga 3 në dy prej tyre, vetëm formulimi: “ka integritet të cenueshëm” në kriteret kushtetuese për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me kushtetutë.

Ndërsa Komisioni për Legjislacion ka parashtruar raportin me rekomandime në pajtim me aktgjykimin e GjK, ku propozohet që të fshihet fjala e lartëcituar që cenon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Tutje, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala, ka paraqitur arsyetimin për miratim të këtyre propozim-amendamenteve kushtetuese.

Kuvendi sot në rend dite disa marrëveshje ndërkombëtare

A.B / RTKlive

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë, në të cilën gjysma e pikave janë marrëveshje ndërkombëtare.

Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, të deputetëve.

Kuvendi në rënd dite ka këto pika: Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, votimi i Projektligjit për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm, votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës, votimi i Projektligjit për  ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë” dhe votimi i Projektligjit për  ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik dhe votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare,  për  pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, raporton RTKlive.

Po ashtu sot kuvendi në rend dite ka votimin për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, votimin për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.

Po ashtu në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, shqyrtimi i parë i Projektligjit për sport dhe zgjedhja e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga shoqëria civile.

Po ashtu sot Kuvendi do të mbajë seancë plenare të veçantë, ku në rend të ditës, është shqyrtimi i tri Propozim-amendamenteve Kushtetuese.

 


MË SHUME NGA Lajme