4 vjet burgim për Arsim Limanin që sulmoi shtëpinë e gazetarit Alban Selimi
Arlinda Sejda/RTK
Është dënuar me 4 vjet burgim Arsim Limani, i cili akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj gazetarit te RTK-së, Alban Selimi. Trupi gjykues ka thënë se i llogaritrur edhe koha e paraburgimit.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 4 vjet burgim Arsim Limani, i cili akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj gazetarit te RTK-së, Alban Selimi , duke llogaritur edhe kohën e paraburgimit.
Avokati i Alban Selimit, Kujtim Kërveshi, ka theksuar se dënimi është i merituar dhe se e kanë pritur që “tentim vrasja” të ricilësohet si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Ndërsa, gazetari Alban Selimi ka deklaruar se në këtë proces penal Prokurorisë Themelore të Prishtinës i ka humbur një cd. Ai shprehu shqetësim lidhur me këtë.
Sipas aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në mars 2023 se në garazhin që është ngjitur me shtëpinë e tani të dëmtuarit Alban Selimi, në Fushë-Kosovë, i akuzuari Arsim Limani nga motive deri më tani të panjohura, ka tentuar që ta privojë nga jeta të njëjtin, i cili në ato momente nuk ishte në shtëpi, duke rrezikuar jetën e anëtarëve të tjerë të familjes, përkatësisht bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve.
Këtë tentativë, i akuzuari thuhet se e ka bërë pasi është afruar tek dera e garazhit dhe aty ka hedhur një shishe benzinë të ndezur, ku flaka ka përfshinë garazhin, e nga temperatura e lartë është dëmtuar vetura e të dëmtuarve.























