Kurti udhëton në Mynih për Konferencën e Sigurisë
E. Hoti / RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Mynih të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë .
Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi për media.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Mynih të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë (Munich Security Conference)”, thuhet në njoftim.
Në këtë konferencë do të marrë pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Në njoftimin e MPJD-së thuhet se ministrja Gërvalla përveç pjesëmarrjes në panele diskutimi, do të mbajë takime bilaterale me homologë nga shtete të ndryshme të Evropës dhe botës, eurodeputetë, deputetë nga shtete të ndryshme, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, shoqërisë civile, mediave etj.
"Konferenca e Mynihit, si një prej ngjarjeve më të mëdha rreth sigurisë për rendin global, teknologjinë, qëndrueshmërinë dhe rrjetet e bashkëpunimit, është një mundësi e mirë për të paraqitur qëndrimet, për të diskutuar sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, politikat dhe veprimet që duhet ndërmarrë si dhe koordinimin me shtetet aleate në ruajtjen dhe promovimin e sigurisë në rajon, Evropë dhe botë", thuhet në komunikatë e MPJD-së.























