Von Cramon i reagon Bislimit për kritikat ndaj Lajçakut
M.P. / RTKlive
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka shkruar se përfaqësuesve të Bashkimit Evropian nuk ka nevojë t’u tregohet se me kë të takohen.
Cramon e ka bërë këtë reagim si replikë ndaj zëvendëskryeministrit Bisnik Bislimi, i cili e ka quajtur si “qasje jo e drejtë në procesin e normalizimit ndërmjet dy vendeve” takimin e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, me organizata jo-qeveritare serbe.
“Bashkimi Evropian është e zonja e vetes dhe nuk ka nevojë që dikush t'u tregojë zyrtarëve të saj se kë dhe në çfarë ore mund të takohen”, ka shkruar ajo në platformën X.
Tutje Von Cramon i ka vlerësuar të paqëndrueshme deklaratat Bislimit dhe ka theksuar se ato përbëjnë rrezik për organizatat jo-qeveritare.
“Këta njerëz nuk janë zëdhënës të Vuçiqit, por OJQ të pavarura që mbështesin programet multietnike dhe punojnë pa u lodhur për integrimin brenda Kosovës. Është thelbësore që karakteri multietnik Kosovës të ruhet, vlerësohet dhe mbështetet. Ky ishte themeli i përfshirë në planin e Ahtisarit i cili siguroi njohjen e perëndimit më 2008”, ka shkruar ajo.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka kritikuar emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për qasje jo të drejtë dhe jo neutrale në procesin e normalizimit.
Bislimi ka reaguar pasi Lajçak të martën në një postim shkroi për një takim me përfaqësues të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (NCEU), por nuk tregoi se ishte NCEU e Serbisë.
Po ashtu Bislimi ka thënë se Lajçak nuk ka përmendur se në kuadër të delegacionit me të cilin ishte takuar ishin kryesisht përfaqësues të OJQ-ve nga Kosova, “të cilët në mënyrë aktive dhe të hapur avokojnë kundër integrimit të qytetarëve serbë në jetën ekonomike dhe sociale të Kosovës”.
























