Blinken përfundon vizitën, me mirënjohje ndaj Shqipërisë
M.P. / RTKlive
Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken ka përfunduar vizitën e tij në Shqipëri.
Ai është përcjellë për në aeroportin “Nënë Tereza” nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Blinken ka vizituar për të parën herë Shqipërinë dhe është takuar me presidentin Bajram Begaj, i cili ka thënë se kjo vizitë është mesazh i qartë në “mbështetje të shqiptarëve, politikës së jashtme dhe të ardhmes së Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE”.
Ndërkaq gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama, përveç mirënjohjes së tij për përkushtimin e Shqipërisë për ndihmë ndaj Ukrainës e Afganistanit, ka folur edhe për raportin Kosovë – Serbi. Në pyetjen e qëndrimit të tij për rregulloren e re të BQK-së me të cilën ndalohet qarkullimi i dinarit, Blinken është përgjigjur duke thënë se dialogu është shtegu i vetëm për të dy shtetet, drejt integrimit në BE.
Gjatë ditës ai është takuar edhe me punonjësit e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, me aplikantët afganë për viza emigruese speciale në Tiranë dhe ka mbajtur fjalime në një aktivitet të të rinjve dhe të diplomuarve me temë "Festojmë të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri" në Tiranë, Shqipëri.
“Nëse shkëmbejmë eksperiencën tonë aq më shumë do të përparojmë dhe bota do të jetë më e sigurt. SHBA dhe Shqipëria kanë lidhur marrëdhëniet 100 vite më parë, për gjysmën e periudhës këto marrëdhënie nuk ekzistonin, por sot në shekullin e ri ne vendet tona do ta bëjmë botën më të sigurt dhe do jeni ju të rinjtë që do e bëni këtë”, ka theksuar ai gjatë fjalimit të tij.

























