Basha i reagon Hovenierit: Presioni mbi Kosovën e fuqizon Vuçiqin
B. H. | RTKlive
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka reaguar pas deklaratës së sotme të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ky i fundit sot theksoi se situata me dinarin serb ka ndikuar në cilësinë e partneritetit mes SHBA-së dhe Kosovës. Megjithatë, këtë qëndrim të Hovenierit, deputeti i LVV-së e ka vlerësuar si hap “përtej mandatit të tij”.
“Me krejt respektin për ambasadorin amerikan, por si duket edhe ky po reagon përtej mandatit që e ka!”, ka thënë Basha në reagimin e tij në Facebook.
Ai tutje e ka vlerësuar të padrejtë presionin ndaj qeverisë së Kosovës, pasi sipas tij “serbët kanë drejtë me mbajt dinarin në banka, vetëm për transaksione ju kërkohet t’i bëjnë me euro, dhe atë duke ju dhënë mundësi për një kohë tranzicionale”.
Basha ka thënë se janë disa pasoja të dëmshme si rrjedhojë e reagimeve të ambasadorit Hovenier.
“E para, kjo kërkesë e juaja shkon në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën tonë! Tash reagimet e juaja vetëm çka po e legjitimojnë Vuçiqin në kërkesat e tij absurde. E dyta, pse gjithë ky presion në Kosovën që synon me mbrojt ligjin e Kushtetutën, kurse ambasada amerikane në Beograd fle gjumë dhe nuk i dëgjohet zëri për asnjë krim të Vuçiqit, e sidomos ato në raport me Kosovën! Pse ky standard i dyfishtë ambasador? Pse jemi më të varfër, apo pse gëzoni respekt te populli dhe tash e keni marrë mirësinë e tyre si dobësi dhe sillesh këtu si shef shteti? E treta, po manipuloni me opinionin kur po i paketoni kërkesat e Vuçiqit si kërkesa të Amerikës! Ne po i refuzojmë ankesat dhe britmat e Vuçiqit, dhe refuzimi jonë nuk ka asgjë të bëj me Amerikën. Nuk është se e kemi ndaluar dollarin amerikan, të cilin dollar edhe familja ime detyrohet ta këmbej dhe s’ka asnjë ankesë, prandaj refuzojmë Vuçiqin, e jo Amerikën siç po e paketoni reagimin! Dinari mund të rëndoj raportet tona me Serbinë, por jo me Amerikën, sepse dinari nuk është valutë amerikane! E fundit, që mbetet po ashtu e paqartë, e padrejtë dhe njëkohësisht e pasinqertë, pse 90% energjisë së ambasadorëve e shpenzoni me ankesa të Vuçiqit”, ka shkruar ndër të tjera Basha.
Ai tutje duke iu drejtuar ambasadorit amerikan ka thënë se “kur ju e merrni seriozisht Vuçiqin dhe ushtroni presion mbi Kosovën në emër të tij, kjo vetëm çka e fuqizon Vuçiqin dhe kriminelët e tij në veri”.























