Analistët në Beograd: Kosova me hapa të mëdhenj në konsolidim të shtetësisë
Anamari Repiç/Beograd/ RTK
Ndryshe nga politikanët, në Serbi një pjesë e madhe e opinionit publik, e sidomos analistëve, vlerësojnë se konsolidimi i brendshëm i Kosovës ka shënuar përparim.
Ata deklarojnë se tanimë në fokus janë vetëm marrëdhëniet me Serbinë, për të cilat mendojnë se do të kenë përfundimin sikurse ai i largimit të Serbisë nga Kosova, mbi dy dekada më parë.
Duke vlerësuar hapat kyç që ka arritur Kosova deri më tani, para së gjithash në nivel të brendshëm, drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, vlerëson se kjo është vendosja e sovranitetit në tërë territorin.
Kjo, sipas tij, në raport me prezencën e mëparshme ndërkombëtare. Janjiq thotë se tani ne tavolinë është çështja e statusit ndërkombëtar.
“Kosova i është afruar sovranitetit në raport me praninë ndërkombëtare. Në diskutim ka hyrë edhe tema e njohjes de facto nga Serbia, ndërsa me marrëveshjen e vitit të kaluar është hapur mundësia e një pranie më të gjerë në institucionet ndërkombëtare. Por shoqëria mbetet e fragmentuar etnikisht, komuniteti serb kryesisht jeton në enklava. Duhet të dimë se integrimi i pakicave është vendimtar për integrimin ndërkombëtar të Kosovës”, tha për RTK-në Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike.
Sa i përket marrëdhënieve Kosovë/Serbi, analistët vlerësojnë se gjithçka do të përfundojë, ashtu sikurse 20 vjet më parë.
“Gjithçka ishte vendosur tashmë në vitin 1999. Mirëpo, tani me vite politika serbe ka keqperdorur qytetarët serbe, duke mos i lënë ata që t'i marrin jetën e tyre në përputhje me interesat e tyre, dhe me jetën që është e nevojshme me komunitetin shqiptar. Mendoj se këtu mund të ndihmojë kryeministri Kurti për të zbatuar gjithçka që është rënë dakord me një ton më të qetë, te shpjegon komunitetit serb interesin për ta pranuar Kosovën”, tha për RTK Zoran Vulletiq nga Forumi Demokratik Qytetar.
Sipas opinioneve, sot po krijohet destabilitet në temat të cilat janë pjesë e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Ndërsa paradoksi me i madh është qe zbatimi i asaj që është rënë dakord do të jetë sfida më e madhe.























