Ministri Peci merr pjesë në panairin bujqësor në Bullgari
BKT
Lajme

Ministri Peci merr pjesë në panairin bujqësor në Bullgari

M.P. / RTKlive

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci me ftesë të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit të Bullgarisë, Kiril Vatev ka marrë pjesë në hapjen ceremoniale të Panairit Ndërkombëtar Bujqësor, i cili është mbajtur në Plovdiv të Bullgarisë.

Sipas njoftimit të ministrisë, në panairin me mbi 40,000 vizitorë, i cili është një ekspozitë gjithëpërfshirëse e bujqësisë, që përfshin shkencën, teknologjinë, pajisjet, produktet, inovacionet dhe shërbimet, po marrin pjesë edhe kompani nga Kosova.

Me këtë rast, ministri Peci ka vlerësuar se panairet e tilla ndikojnë në rritjen e bashkëpunimit në mes të dyja shteteve.

“Përfshirja e kompanive nga Kosova i shton një dimension të vlefshëm ndërkombëtar panairit, duke nxitur shkëmbimin ndërkulturor dhe duke promovuar bashkëpunimin ekonomik. Po ashtu, organizimi i këtij panairi shërben si një riafirmim i fuqishëm i marrëdhënieve pozitive dhe frymës së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe homologes bullgare”, ka thënë ai.

Ndër tjerash, ai ka theksuar se kjo përpjekje e koordinuar jo vetëm që nënvizon angazhimin e ndërsjellë për suksesin e panairit, por gjithashtu pasqyron një angazhim më të gjerë për bashkëpunimin dypalësh në sektorin e bujqësisë.


MË SHUME NGA Lajme