Vdekja e Navalnyt, Londra me sanksione ndaj drejtuesve të burgjeve në Rusi
Bardhyl Bajrami
Mbretëria e Bashkuar ka ngrirë asetet e gjashtë udhëheqësve të burgjeve ruse në krye të kolonisë penale të Arktikut ku vdiq lideri i opozitës Alexei Navalny.
Individëve të sanksionuar do t'u ndalohet gjithashtu të udhëtojnë në Mbreterinë e Bashkuar.
Udhëheqësit perëndimorë thonë se faji për vdekjen e Navalnyt është tek autoritetet ruse, duke përfshirë presidentin Putin.
"Ata që janë përgjegjës për trajtimin brutal të Navalnyt nuk duhet të kenë asnjë iluzion - ne do t'i mbajmë ata përgjegjës," tha Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Lord Cameron.
Qeveria britanike ka kërkuar gjithashtu që trupi i Navalnyt t'i lirohet familjes së tij menjëherë dhe të bëhet një hetim i plotë dhe transparent.
Apeli nga Britania e Madhe i bën jehonë thirrjeve të ngjashme nga nëna e Navalnyt, e cila u filmua të martën jashtë kolonisë ku ai vdiq duke thënë se ajo po përpiqej ta shihte për pesë ditë, por as nuk e dinte se ku ishte.
Duke shpallur sanksionet, Lord Cameron tha se ishte "e qartë se autoritetet ruse e shihnin Navalnyn si një kërcënim dhe ata u përpoqën vazhdimisht ta mbyllnin atë në heshtje".
"Askush nuk duhet të dyshojë në natyrën shtypëse të sistemit rus," shtoi ai.
“Kjo është arsyeja pse ne sot po sanksionojmë zyrtarët më të lartë të burgut përgjegjës për paraburgimin e tij në koloninë penale ku ai kaloi muajt e fundit. Ata që janë përgjegjës për trajtimin brutal të Navalny nuk duhet të kenë asnjë iluzion - ne do t'i mbajmë ata përgjegjës", ka deklaruar Cameron.
Ndërkohë, kryeministri Rishi Sunak tha se Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj po shqyrtonin "të gjitha opsionet për të kërkuar llogari nga Rusia dhe Putin".























