Mbahet takimi i Këshillit të Partneritetit Kosovë- Mbretëri e Bashkuar
BKT
Lajme

Mbahet takimi i Këshillit të Partneritetit Kosovë- Mbretëri e Bashkuar

E. Hoti / RTKlive

Është mbajtur takimi i dytë i Këshillit të Partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Në këtë takim u theksua rëndësia e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve.

Delegacioni i Republikës së Kosovës ishte i përbërë nga përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Sipas njoftimit të MPJD-së, temat kryesore të takimit ishin bashkëpunimi dypalësh në fushën e ekonomisë, mbrojtjes, sigurisë, drejtësisë dhe mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës.

“Në këtë takim u theksua rëndësia e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar ndërmjet të dyja vendeve temë të cilës i ka dhënë prioritet edhe Sekretari i jashtëm britanik Lordi David Cameron pas vizitës së tij në Republikën e Kosovës dhe takimet që kishte me krerët e shtetit”, njofton MPJD.

Gjithashtu bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua në detaje për bashkëpunimin dypalësh, u trajtuan marrëveshjet e iniciuara dypalëshe si dhe u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit, veçse mjaft të avancuar, në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.


MË SHUME NGA Lajme