RTK shpall konkursin për praktikantë me pagesë
B. H. | RTKlive
Radiotelevizioni i Kosovës e ka shpallur konkursin për pranimin e praktikantëve me pagesë. Një risi kjo për transmetuesin publik, e cila është bërë e mundshme falë marrëveshjes në mes të RTK-së dhe platformës Kosovo Generation Unlimited të UNICEF-it, për punë praktike me pagesë për të rinjtë nga mosha 16-24 vjeç, për një periudhë tremujore.
Konkursi përfshin gjithsej 10 vende për praktikantë me pagesë: 2 gazetarë në ueb faqe, 2 gazetarë në dhomën e lajmeve RTK-TV, 2 gazetarë në RTK-Radio, 2 gazetarë në RTK2 dhe dy teknikë të zërit.
Kosova Generation Unlimited (K-GenU) është një koalicion shumë-sektorial për bashkëpunim, me qëllim të rritjes së investimeve për dhe me të rinjtë, që ata të mund të shfrytëzojnë dhe rrisin potencialin e tyre.
K-GenU fuqizon dhe angazhohet me të rinjtë duke i lidhur ata me mundësinë për të përmirësuar apo lehtësuar kalimin e tyre nga shkolla në punë, përmes programit të punës praktike. Ky program shoqërohet me trajnime për zhvillimin e aftësive dhe monitorim për të lehtësuar përvojën e të rinjve në tregun e punës.
Kushtet e përgjithshme për aplikantët janë: Të jenë të moshës 16-24 vjeç, të jenë shtetas të Kosovës me vendbanim në Kosovë, të mos jenë në marrëdhënie pune, të mos kenë qenë të punësuar në RTK deri në momentin e angazhimit në K-GenU.
Praktikantët të cilët do të hyjnë në listën e ngushtë do të ftohen për intervistë.
RTK ka të drejtë të kërkojë edhe sqarime dhe dokumentacion shtesë në mënyrë që vlerësimi të jetë sa më i saktë.
Afati për aplikim është duke filluar nga 21.02.2024 deri më 15.03.2024.
Linku me detajet e konkursit këtu























