Kurti në Londër: Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo ‘Kosova e Metohija’
BKT
Lajme

Kurti në Londër: Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo ‘Kosova e Metohija’

Sh.Ç. & M.M. /RTKlive

(E plotësuar) Në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në kuadër të Samitit në Londër, kryeministrit, Albin Kurti ka theksuar se Kosovën e njohin 3 nga 4 vendet fqinje. Ai ka theksuar se njihet si Republika e Kosovës “e jo si Kosova e Metohija”.

Kryeministri i vendit Albin Kurti u shpreh se po t’i referohej Kosovës me “Metohija”, duhej t’i referohej edhe Serbisë më ndryshe.

“Vendi im quhet Republika e Kosovë, jo si i është referuar këtu ‘Kosova e Metohija’. Po të shkoja në këtë rrugë do të merrja shumë kohë, pasi pos Serbia, do të duhej të thosha Serbia e Vojvodina, Sanxhaku, Toplica Rashka dhe Lugina e Preshevës. Më mirë të përqendrohemi në ekonomi”, ka theksuar Kurti.

Në panel me Kurtin është edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, që disa herë u lavdërua për zhvillimin ekonomik.

Kurti në Londër: Kosova është në një vijë me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024, që po mbahet në Londër ka thënë se Kosova është në një vijë me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, si në sferën politike, ashtu edhe në biznes, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë.

“Jemi të dedikuar për rendin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit në vijë me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, si në vlerat politike edhe në ato të biznesit sidomos pas agresionit rus në Ukrainë që tashmë së fundi ka mbushur dy vjet”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se në këto tre vitet e fundit Kosova ka pasur një zhvillim ekonomik, përparim demokratik dhe stabilitet institucional, që ka qenë ndihmesë e madhe për të luftuar me sukses rreziqet për sigurinë, e po ashtu të bëhet adresimi në ndryshimet klimatike, si dhe pabarazinë sociale.

“Kosova udhëheq në Ballkanin Perëndimor sa i përket projektimeve në vitet 24-25. Kemi përparime në zbatimin e rendit dhe ligjit në avancimet në të drejtat politike, në të drejta civile, etj. Kjo e pozicionon Kosovën në një situatë ta favorshme në hartën globale dhe jemi në mes të Lindjes së Mesme, të Evropës dhe Afrikës”, ka theksuar ai.

Kurti,  më tej ka deklaruar se Kosova ka një fuqi punëtore, ku mosha mesatare është 31 vjeçare dhje një ekonomi të tregut të hapur që krijon një ambient të mirë për biznesin.

“Jemi të vendosur në investimet teknologjike, ku nga 23 vende evropiane, Kosova del e 11 në ranglistë, duke lënë mbrapa të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE. Në këto tre vite kemi dyfishuar eksportet dhe investimet  e huaja të drejtpërdrejta. Na duhen më shumë të tilla, megjithëse na duhen ma shumë investime të tilla”, ka theksuar Kurti.

Lidhur me prioritetet rajonale ndërkufitare, Kurti ka thënë se nevojiten investime si për transport, ashtu edhe për energji e infrastrukturë. Ai ka deklaruar se rreth 7 miliardë euro të ndara nga BE-ja veçse janë të synuara.

“Kemi kryer ankandin për megawat solar në perëndim të Kosovës, gjashtë korporata po garojnë, kemi ofruar 15 vjet të kontratave me 75 euro për megawat në orë, do të hapim edhe një ankand tjetër nga mesi i këtij viti, në këtë rast j solar por me energji të erës. Sa i përket transportit, pikë së pari me Shqipërinë jemi të dedikuar për një lidhje hekurudhore mes Prishtinës dhe Durrësit, të porteve të thata që promovojnë rritjen ekonomike, tregtinë dhe që është rajon më i lidhur dhe prosperues. Studimet e fizibilitetit tregojnë se linja më e mirë është ajo që lidh Gjakovën me Shkodrën, Prizreni duhet të lidhet me Tetovën, na nevojitet një tunel që duhet të hapet në të dyja vendet. Kjo do të mundësojë lëvizjen e lehtë ndërkufitare dhe fuqizimin e lidhjeve kulturore, tregtisë. Në partneritet me Malin e Zi fokusi është në ndërtimin e rrugëve të reja”, ka thënë Kurti.

Rama: Jemi një vend i mirë për të shtuar investimet serioze

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka marrë pjesë me anë të një lidhjeje skype në Samitin e investimeve në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Londër. Ai ka theksuar se Shqipëria tashmë ka ndryshuar shumë.

“Unë jam veteran i këtyre lloj formateve,sepse kam qenë i pranishëm qysh prej kur ka lindur ky format, para 10 vjetësh. Për 10 vjet kanë ndryshuar shumë gjëra, përveç sasisë dhe ngjyrës së flokëve të mi tani. Rajoni po shkon mirë dhe derisa bota po ashtu po ndryshon, Shqipëria ka ndryshuar shumë. Prej një vendi me stigmën e një vendi të pasigurt, në një vend i cili vitin e kaluar ka mbërri në një shifër prej 10 milionë turistësh, më shumë se trefishi i popullatës që kemi”, ka thënë Rama.

Rama përmendi resurset e reja energjetike, duyke theksuar se më parë sistemi energjetik i Shqipërisë ishte gati duke u shkatërruar, për shkak se, siç ka deklaruar ai, shumica e popullatës nuk paguante faturat.

Rama ka thënë se borxhi publik i Shqipërisë shënoi rënie historike nën 60% në fund të vitit të kaluar, “pasi që kishte mbërritur majën, gati 80% për shkak të tërmetit tragjik, e po ashtu edhe pandemisë e cila erdhi menjëherë pas tërmetit”.

Basso: Siguria e Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, mesazh për botën

(E plotësuar) Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024 ka nisur të mbahet sot në selinë e BERZH-it në Londër.

Në fjalimin saj kryetarja e EBRD (BERZH), Odile Renaud Basso, ka deklaruar se ndjehet e kënaqur që po hap takimin e 6 të këtij lloji, derisa ka shtuar se është një moment i mirë që të shohim se deri ku kemi arritur në investimet në Ballkanin Perëndimor.

Ajo ka theksuar se në një bashkëpunim të gjerë në këtë rajon, në këtë format të ri, me një të kaluar të vështirë, situata tani është normalizuar.

Basso më tej ka deklaruar se kryeministrat e Ballkanit Perëndimor janë fokusuar në objektivat që dërgojnë mesazh të fortë në vendet tjera të botës e ajo është që ky rajon ka arritur në një nivel të ri të sigurisë dhe stabilitetit dhe si arritje më e madhe ajo vlerësoi bashkëpunimi mes vendeve.

Në Londër nis Samiti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor

(E plotësuar) Në selinë e BERZH-it në Londër nisi Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024. Në këtë aktivitet po marrin pjesë edhe kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Gjithashtu të pranishëm janë edhe krerët e qeverive nga Ballkani Perëndimor.

 

Mbahet Samiti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, merr pjesë Kurti

Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024 do të mbahet sot në selinë e BERZH-it në Londër. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë të gjashtë krerët e qeverive nga rajoni, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati do të marrin pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024.

“Ai, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, do të marrë pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024 të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit. 

Qëllimi i Samitit është të nxjerrë në pah mundësitë e mundshme për investime dhe biznes në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare. Ky është samiti i gjashtë i BERZH-it i këtij lloji; Samiti inaugurues i Ballkanit Perëndimor u zhvillua në BERZH dhjetë vjet më parë, në shkurt 2014 dhe, për herë të parë, mblodhi së bashku të gjithë kryeministrat e rajonit.

Ballkani Perëndimor është një rajon prioritar për BERZH-in. Sot, BERZH mbetet një nga investitorët më të mëdhenj institucionalë në vendet e rajonit, me më shumë se 18 miliardë euro të investuara deri më sot.

Pika kryesore tradicionale e Samitit – “Sesioni i Kryeministrave” interaktiv – do të shohë që liderët rajonalë dhe presidenti i BERZH-it t’i drejtohen audiencës me vizionin e tyre të përgjithshëm për rajonin, projektet kyçe rajonale dhe mundësitë për investime në nivel rajonal dhe në secilin të vendeve të rajonit, ku përfshihen Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina,Kosova Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

 


MË SHUME NGA Lajme