Ismaili: Rregullorja mundëson transferimin e fondeve në mënyrë legale
Sh. Ç. /RTKlive
(E plotësuar, ora 15:39) Pas takimit të përbashkët guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka thënë se në takim me përfaqësuesit serbë kanë informuar për mundësitë që ofron Rregullorja e re e BQK-së për transferim të mjeteve nga shtetet e tjera në Kosovë.
Guvernatori ka thënë së në takim nuk ka pasur negocim, sepse BQK nuk është palë në negociata.
“Janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdoje financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar tek Banka Popullore e Serbisë. Nuk ka asgjë tjetër dhe as nuk kemi pranuar diskutime tjera. Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet. Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim. Mundësi ligjore ka për transfere legale. Nëse gjithmonë Serbia ka gatishmërie të shfrytëzoj ato. BQK nuk negocion me asnjë palë”, ka theksuar ai për RTK-në.
Ismaili ka theksuar se rregullorja mundëson transferimin e fondeve në mënyrë legale, përmes kanaleve bankare në llogari të përfituesve në euro.
“Diskutimi ka qenë lidhur me propozimin tonë që kohë më parë ja kemi dërguar Bankës Qendrore të Serbisë, ku kemi shprehur gatishmërinë që të lehtësojmë një prej zgjidhjeve që ekzistojnë për transferimin e mjeteve. Askush nga BE-ja nuk e ka vënë në dyshim mandatin dhe autoritetin e BQK-së për ta rregulluar këtë çështje apo mënyrën se si e ka rregulluar, por sigurisht brengat që i ka paraqitur është ndikimi në një komunitet të caktuar”, ka deklaruar guvernatori.
Përfundon takimi trepalësh në Bruksel për çështjen e dinarit serb
(E plotësuar, ora 15:25) Në Bruksel ka përfunduar takimi i përbashkët mes ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë. Rezultatet nga ky takim nuk janë ende të qarta.
Kurse, kryenegociator i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti synon t’i shuajë institucionet që duhet të jenë themel i Asociacionit të komunave me shumicë serbë.
Pas takimeve, Petkoviq e ka quajtur çështjen e dinarit vendim politik që ka për qëllim largimin e serbëve.
“Ne si palë e përgjegjshme kemi insistuar që vendimet e dyshimta të eliminohen”, ka thënë ai duke shtuar se posta nga të cilat serbët i marrin pjetet duhet të veprojë ende në Kosovë “sepse serbët i marrin nga aty pagat, pensionet, skemat sociale e të tjera”, ka deklaruar ai.
Lajçak takon ndaras delegacionet e Kosovës dhe Serbisë
(E plotësuar, ora 12:30) Në Bruksel kanë përfunduar takimet e ndara mes emisarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, dhe delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
Lajçak ka zhvilluar takime të ndara me delegacionin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe me delegacionit serb i udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviq.
Pas përfundimit të takimeve dypalëshe të Lajçakut me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, mbetet të shihet nëse do të ketë një takim trepalësh, raporton REL
Kosova nuk ka dashur që në këtë takim të dërgojë nivel politik sepse beson se çështja e rregullores së BQK-së për pagesat me para të gatshme nuk duhet të jetë temë e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Nis takimi mes Lajçakut dhe delegacionit serb në Bruksel
Ka nisur takimi në Bruksel mes emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe delegacionit serb i udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviq.
Pas takimit me delegacionin serb, Lajçak pritet të takohet me delegacionin e Bankës Qendrore të Kosovës.
Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për qarkullimin e valutave do të jenë temë kryesore e takimeve. Ende nuk ka konfirmim nëse do ketë gatishmëri të palëve për takim trepalësh.
Sot në Bruksel mbahet takimi për ‘çështjen e dinarit serb’

N. Mekolli /RTKlive
Bashkimi Evropian ka konfirmuar pjesëmarrjen e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë në takimin e 27 shkurtit për çështjen e përdorimit të dinarit serb në vend.
Sipas tyre, takimi i sotëm i dialogut, në Bruksel, do ta ketë në fokus vetëm një temë,përdorimin e dinarit në Kosovë.
Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massralli, ka thënë të hënen se të dyja palët kanë konfirmuar se do dërgojnë përfaqësuesit e tyre për këtë takim. Ajo gjithashtu ka thënë se takimi do të zhvillohet në "formatin e zakonshëm të dialogut".
RTKlive merr vesh se në takimin për dinarin nga pala kosovare do të jetë guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro).
Nga BQK kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në takimin e Brukselit.
“Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, thuhet në një përgjigje për RTKlive. BQK bënë të ditur se do të ketë takime bilaterale dhe trilaterale sipas nevojës.
Ndryshe takimi në Bruksel është konfirmuar edhe nga Serbia, ekipin serb do ta udhëheqë kryenegociatori për dialog me Kosovën, Petar Petkoviq.























