Në mungesë kuorumi dështon mbledhja e komisionit hetimor për rezerva
Edina Avdiu / RTK
(E plotësuar 14:20) Në mungesë kuorumi ka dështuar mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.
"Që nga fillimi kam vërejt një pengesë nga LDK për punën e këtij komisioni. Ata na kanë akuzuar vazhdimisht që kemi të bëjmë me keqpërdorime. Derisa iniciuesi i këtij komisioni nuk është prezent, më saktë përderisa Doarsa Kica Xhelili nuk merr pjesë në këtë komision, nuk marr pjesë as unë", ka thënë Halil Thaqi anëtar i këtij komisioni..
Kurse Valentina Bunjaku, ka thënë se ky komision hetimor nuk është iniciuar në emër personal, por në emër të LDK-së. “Kur duam ta gjejmë një vegëz diku, mund ta gjejmë secili. Nuk duam të bëjmë polemika, por të vazhdojmë me punë”, ka thënë Bunjaku.
“I lus edhe pozitën edhe opozitën të marrë pjesë. Nëse doni me gjet arsyetim për të neglizhuar punën është mirë me thënë publikisht qe s'jemi të interesuar me e zbardhë të vërtetën", ka shtuar Bunjaku.
Ndërsa Driton Hyseni, ka thënë se janë aty për të bërë punën e tyre dhe se nuk kanë të bëjnë me neglizhencë.
"Ishte vendim i tij si rrjedhojë e një përplasje në mbledhjen e kaluar ku u akuzuam për pengim të punës të këtij komisioni. Nuk kemi të bëjmë me neglizhence. Jemi këtu për të bërë punën tonë, por jo sipas qejfeve te opozitës", tha ai.
Anëtarët e Komisionit, Halil Thaqi dhe Salih Zyba e kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit.
E Rashit Qalaj, kryetar i Komisionit, ka deklaruar se ai do të thërras vetëm edhe një mbledhje.
"Unë do ta thërras vetëm edhe një mbledhje, vetëm edhe një. Është hezitim i deputetëve të pozitës, duke tentuar me gjet çka do. Jemi shumë mbrapa me të gjitha aktivitetet e këtij komisioni. Nëse konsideroni qe nuk ja vlen me u mbajt ky takim unë e qes në votim rendin e ditës", ka thënë Qalaj.
Mblidhet komisioni hetimor për rezervat shtetërore
A.B / RTKlive
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla sot mban mbledhje.
Në këtë mbledhje do të ketë diskutim rreth kërkesave për sjellje të dokumentacionit.
Deri më tani ky komision ka mbajt disa mbledhje.























