Protestohet kundër rigjykimit të rastit të vrasjes së Marigona Osmanit
BKT
Foto / Elmina Osmani / RTK
Lajme

Protestohet kundër rigjykimit të rastit të vrasjes së Marigona Osmanit

V.Thaçi/ RTK

Para Pallatit të Drejtësisë ka nisur protesta për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit që rasti i vrasjes së Marigona Osmanit të kthyer në rigjykim.

Protestuesit po mbajnë në duar pankarta ku kanë shkruar “Poshtë gjykatat patriarkale”, “Femicidin ta ndëshkojmë, jo ta rigjykojmë”, “Siguri dhe drejtësi për gratë”.

Bjeshkë Guri  nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ka thënë se vendimi i Gjykatës së Apelit që ta dërgojë në rigjykim lëndën e vrasjes së Marigona Osmanit na revolton tej mase meqë përtej këtij rasti reflekton një praktikë të shpeshtë në rastet e dhunës ndaj grave dhe femicidit, e cila e kthen rastin në pikën zero, duke krijuar pasiguri për gratë në Kosovë dhe rrezikuar që Marigonës t'i bëhet padrejtësi edhe për së vdekuri.

Ajo shtoi se ky vendim u rikthye në rigjykim me arsyetimet dhe kërkesat e Gjykatës së Apelit ku ndër të tjera, vihet në pikëpyetje mënyra mizore me të cilën Dardan Krivaqa, me ndihmën e Arbër Sejdiut e kanë vrarë Marigonën, duke theksuar se kjo është tejet shqetësuese.

 “Përfshirja e motivit të vrasjes, e cila po ashtu është problematike në vetvete nuk e përjashton se vrasja është kryer në mënyrë mizore. Një sygjerim i tillë e rivendosë theksin tek motivet e vrasjes dhe jo akti per se, çka për ne është e papranueshme”, ka thënë Guri.

Tutje, Guri ka thënë se është shqetësuese se si Gjykata e Apelit asnjëherë nuk e adreson qasjen problematike të Gjykatës Themelore në trajtimin dhe vlerësimin e dhunimit si vepër penale.

“ Dhunimi seksual është detyrimi në kryerjen e aktit seksual pa dhënien e pëlqimit. Mirëpo Gjykata Themelore nuk e ka të qartë se çka do të thotë kjo, dhe gabimisht nxjerrë konkluzione duke u mbështetur vetëm në provat e lëndimit fizik gjenital. Prezenca e lëndimeve fizike nuk është vendimtare për përcaktimin e dhunimit”, tha ajo.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm


MË SHUME NGA Lajme