Kikia: Samiti i Tiranës, thirrje për vigjilencë nga ndikimi rus
M.Miftari/RTKlive
Mentor Kikia, gazetar e opinionist, lidhur me Samitin për Ukrainën, të mbajtur në Tiranë, tha se Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse ndaj Ukrainës për arsye se Shqipëria është anëtare e NATO-s, si strukturë ushtarako-politike, që është në ballë të këtij konflikti, edhe pse jo e përfshirë drejtpërdrejtë.
Ai përmendi rolin e SHBA-së, si aleati kryesor i shqiptarëve në tërësi, gjithashtu edhe i Ukrainës në këtë përballje me Rusinë.
“Për këto arsye dhe të tjera Shqipëria u bë mikpritëse e këtij samiti që kishte si përfitues të parë Ukrainën, jo në aspektin material-në armatime apo financa, sikundër Ukraina kërkon nga BE e SHBA, por në rikonfirmimin e një mbështetjeje politike, një solidariteti me vendet të tjera, i cili dy vjet pas luftës dukej sikur ishte zbehur, duke dëshmuar një lloj tërheqjeje, në një farë mënyre. Por rikonfirmimi i sotëm në Tiranë i vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Juglindore, së paku ata që janë fqinjët më të afërt të Ukrainës, rikonfirmuan edhe një herë mbështetjen për Ukrainën”, deklaroi Kikia në “Lajmet e fundit”,në RTK.
Ai më tej shtoi se samiti ishte një ftesë për vendet e rajonit për të qenë vigjilent në mënyrë që të mos bien pre e ndikimeve ruse, që të pengojnë praninë e saj në rajon.
Ndërkaq lidhur me pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë në organizimin dhe pritjen e liderëve botërorë, Kikia e vlerësoi si pozitive.
“Kjo dëshmon jo vetëm seriozitetin, por edhe pjekurinë e një shteti për të qenë vend mikpritës i të tilla ngjarjeve”, deklaroi Kikia.
Ai shtoi se zgjedhja e Tiranës përpara Beogradit është mesazh për këtë të fundit se qendra e gravitetit të rajonit, e cila për shumë kohë ka qenë në Serbi, mund të zhvendoset në Tiranë, për shkak të qëndrimeve që Serbia mban raportet me BE-në, SHBA-në dhe me interesat e tyre gjeostrategjike në këtë rajon.























