Tahiri-Vitisë: E ke lënë qeverinë në kohën më të keqe
M.P. dhe M.M. / RTKlive
(E plotësuar 16:57) Abelard Tahiri, shef i GP të Partisë Demokratike të Kosovës, në seancën sotme të jashtëzakonshme ka folur për menaxhimin e sektorit të shëndetësisë.
Ai tha se ministri i Shëndetësisë në fjalimet e tij ka dëshmuar se ka ardhur për të mësuar e jo për të menaxhuar me sektorin e shëndetësisë.
Tahiri më tej tha se ministri Vitia ka folur për gjendjen e shëndetësisë që në Kosovë nuk e kemi, duke treguar një farë realiteti të ri të shëndetësisë.
Më tej Tahiri vuri në dukej se ministri Vitia ka lënë postin e ministrit në kohën kur në Kosovë shënohej vdekshmëria në 45 veta në ditë, në kohë pandemie.
“Ti e ke lënë Qeverinë e Kosovës kur ishte më së keqi, kur vdisnin 45 veta brenda një dite, në kohë pandemie”, tha Tahiri.
Tahiri: Qeveria Kurti brenda tre vjetësh i ka ndërruar tre ministra
(E plotësuar 16:30) Shefi i GP të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, foli për arsyen e thirrjes së kësaj seance të jashtëzakonshme për një, siç tha ai, çështje të jashtëzakonshme e që është sigurimi shëndetësor.
Sipas Tahirit, përmbajtja e kërkesës është në formën më konstruktive të mundshme që nuk mund të gjendet asnjë element, siç u shpreh ai, pezhorativ dhe që ka një tendencë për minimizim të një politike publike që është brengë e secilit qytetarë të Kosovës, secilit subjekt politik e edhe i kësaj qeverie.
“Kapitujt që i trajton kërkesa ndërlidhen me aspektin infrastrukturës së sektorit të shëndetësisë, asaj ligjore, si dhe sfidat që ndërlidhen me resurset njerëzore, si dhe me financimin e sektorit shëndetësor”, deklaroi Tahiri.
Ai më tej theksoi arsyen e thirrjes së kësaj seance të jashtëzakonshme ngase,sipas tij, ky sektor është në një çregullim total, ngase Qeveria Kurti, brenda tre vjetësh ka ndërruar tre ministra.
Vitia: Në Kardiokirurgji s`do të ketë lista të pritjes pas renovimit
(16:10) Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka premtuar se në Klinikën e Kardiokirurgjisë nuk do të ketë lista të pritjes dhe përmirësim të disa shërbimeve.
“Në Klinikën e Kardiokirurgjisë përmes investimit 550 mijë euro, rritje e numrit të shtretërve dhe e numrit të pacientëve që marrin shërbime, mekanizmat për uljen e infeksioneve introspitalore dhe listat e pritjes në këtë klinikë nga një vit janë në dy muaj dhe pas renovimit nuk do të ketë lista fare”, ka thënë ai.
Ndërkaq për spitalin në Ferizaj, ai ka thënë se do të përfundojë në vitin 2026.
“Ashtu siç kam thënë se do të bëhet QKMF dhe në bashkëpunim me kryetarin e komunës, punimet kanë filluar dhe janë duke ecur jashtëzakonisht mirë”, ka thënë ai.
(16:00) Rinis seanca e Kuvendit, vazhdon diskutimi për shëndetësi
Ka rinisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës pas një pauze, teksa diskutimi nga deputetët për gjendjen e shëndetësisë po vazhdon.
(14:30) Kuvendi në pauzë, në pjesën e dytë vazhdon diskutimi për shëndetësi
Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë të shkurtër. Në pjesën e parë të seancës së jashtëzakonshme është trajtuar gjendja e sistemit shëndetësor. Përveç kushteve infrastrukturore, një nga çështjet e diskutuara në seancën e thirrur nga AAK ka qenë edhe kushtet e punës së personelit shëndetësor, me theks të veçantë ikjen e tyre jashtë vendit.
(13:30) Vitia premton prioritet për protezat e invalidëve: Janë keqpërdorur
Debati në Kuvendin e Kosovës po vazhdon me polemika të shumta për gjendjen e sistemit shëndetësor. Deputetët në seancën e jashtëzakonshme janë duke shprehur çështje të ndryshme, teksa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia po përgjigjet rreth tyre.
Një nga temat e diskutuara është edhe amputimi i protezave për invalidët e luftës në Kosovë, ku Vitia ka premtuar se është një nga çështjet që po trajtohen me prioritet.
“Janë shpenzuar me miliona, të cilat ka shumë të ngjarë të jenë keqpërdorur, bëj thirrje që të hetohen. Çudi se si nuk janë hetuar gjithë këto miliona që s’kanë sjellë një mekanizëm a institucion që mund t’i bëjë protezat brenda Kosovës. I garantoj të gjithë invalidët se kjo është çështja më prioritare, përveç se do t’i ngrisim kapacitetet, do të trajtohen edhe me fondin jashtë vendit dhe do t’i marrin këto shërbime”, ka thënë i pari i shëndetësisë.
Sa i përket depos qendrore të barnave, Vitia ka thënë se ajo është buxhetuar, teksa ka premtuar se “do ta kemi më të mirën ndonjëherë”. Ndërkaq ai ka thënë se po përdorin një politikë investuese për uljen e listave të pritjes nëpër repartet e QKUK-së.
“Listat e pritjes edhe në ortopedi, edhe në kirurgji vaskulare, më shumë ka pasur në vitet 2018-2019 sesa që ka sot. Lista të pritjes për disa ka me pasë përherë, por ne po bëjmë investime duke i analizuar ato që të shtojmë salla të operacioneve në ortopedi në mënyrë që të zvogëlohet lista e pritjes”, ka thënë Vitia.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me propozim-rezolutën për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore, tha se është me rëndësi të diskutohet për tema të tilla në Kuvendin e Kosovës.
Ai sqaroi se në tekstin e arsyetimit për miratimin e kësaj propozim-rezolute, është paraqitur puna që nga viti 2014 e këndej, kur siç theksoi ai, ka hyrë ligji në fuqi, ndonëse, shtoi ai, është ditur se nuk do të gjente zbatim.
“Është ditur se që atëherë ky ligj nuk do të gjente zbatim dhe s’ka si të mos pajtohem me ju i nderuar profesor Dreshaj në këtë pikë dhe LVV zëshëm ka thënë edhe para 10 vjetëve këto kritika që ju i paraqitët sot dhe më vjen mirë që, edhe pse me 10 vjet vonesë, kemi pajtueshmëri në këtë pikë”, deklaroi Vitia, derisa shprehu kritika ndaj propozuesit të kësaj rezolute për themelimin e fondit e që, sipas tij, kjo nuk është paraparë themelimi i një fondi të tillë.
Ministri Vitia tha se gjatë këtyre viteve asnjë qeveri paraprake nuk ka paraparë asnjë nismë për ndryshimin e ligjeve për sigurimet shëndetësore.
Ai lidhur me sigurimet shëndetësore ka thënë se LVV që në vitin 2019 ka thënë se nuk mund të funksionalizohet brenda 4 vjetëve.
“Në vitin 2019 ne si subjekt politik kemi thënë se Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk mund të funksionalizohet brenda 4-5 vite punë intensive”, deklaroi Vitia, derisa kritikoi ish ministrat të dikasterit, të cilët thoshin se ky fond do të funksionalizohet brenda 24 muajve, duke harruar se pikërisht ata ishin që kanë sjellë shëndetësinë në gjendje çfarë ishte.
Lekaj: 60% e pacientëve kryejnë shërbimet në sistemet private të shëndetësisë
(E plotësuar 11:50) Pal Lekaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lidhur me Propozim-rezolutën për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore, tha se është më e rëndësishmja që merret me jetën e qytetarëve në Kosovë.
“Sot kemin një seancë të jashtëzakonshme, e cila në njërën anë është më e rëndësishmja dhe më urgjente që merret me jetën e qytetarëve të Kosovës e në anën tjetër kemi Qeverinë Kurti, e cila, duke u marrë me interesat partiake, ka harruar prioritetet publike e mirëqenien e qytetarëve”, deklaroi Lekaj.
Ai më tej vlerësoi se shqetësim është mungesa e sigurimeve shëndetësore dhe Ministria e Shëndetësisë që nuk po merret me nevojat e pacientëve.
Sipas Lekajt, rreth 60% e pacientëve kryejnë shërbimet në sistemet private të shëndetësisë.
Deputeti Lekaj më tej ka folur për aksidentet në vendin e punës, disa prej të cilave me fatalitet.
Ndërkaq të aksidentuarit, në mungesë të sigurimeve shëndetësore, kanë mbetur barrë për familjet e tyre.
Zemaj: Shëndetësia, sektori më i nëpërkëmbur
(E plotësuar, ora 11:30) Armend Zemaj deputet i LDK-së, e ka quajtur menaxhmentin aktual të shëndetësisë si të paaftë e të paditur.
“Shëndetësia me qeverinë e Albin Kurtit është sektori më i nëpërkëmbur”, ka thënë Zemaj.
Ai ka thënë se në të kaluarën kishte mungesë të barnave, sot ka mungesë edhe të letrave higjienike, shiringave, katedrave, penjëve e infuzioneve.
(11:20) Haxhiu me kritika ndaj menaxhimit të sistemit shëndetësor
Bekim Haxhiu nga PDK ka pasur kritika për menaxhimin e sistemit shëndetësor ndër vite.
“Mjekimi instensiv qendror është inauguruar në vitin 2019 me 32 shtretër dhe aparatura komplete për kujdes ndaj pacientëve. Sot ka 21 shtretër, reduktim i kapaciteteve që dërgon në përfitim të klinikave private sepse një natë për kujdes instensiv në klinika private është një mijë euro”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur edhe largimin e 22 specializantëve të anesteziologjisë nga sektori publik, nga 64 sa ishin në vitin 2020. Largimin e tyre, Haxhiu e ka ndërlidhur me trajtim jo të duhur.
(11:10) Kollçaku: Sigurimet shëndetësore janë paraparë në strategji legjislative
Përfaqësuesja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë se Propozim-rezoluta për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore është paraparë në strategjinë legjislative dhe se ky është debat i përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës.
“Fondi për Sigurime Shëndetësore është formuar me një vendim jo bazuar në ligj dhe fokusohet vetëm në trajtim jashtë vendit. Kemi trashëguar 30 milionë euro borxhe, të pabarazuara që janë dhënë pas zotimeve dhe asnjëherë nuk janë realizuar. Ne si Kosovë vuajmë se zotimet tona si shtet nuk pranohen në shumë institucione, si një shtet që cilësohet si joserioz sepse në të kaluarën nuk e ka përmbushur zotimin”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se ligji për sigurime shëndetësore duhet të shkojë paralel me reformë e sistemit shëndetësor, duke përfshirë burimet njerëzore, ndarjen e specializimeve, përmirësimit të kushteve për punonjësit shëndetësor dhe pika të tjera.
(10:51) Dreshaj: Jemi vendi i vetëm pa sigurime shëndetësore, vetëm Somalia njëjtë
Deputeti nga AAK, Shemsedin Dreshaj, me rastin e prezantimit të Propozim-rezoluta për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore, ka pasur kritika për mungesën e sigurimeve të mirëfillta dhe mënyrës së funksionimit të Fondit për Sigurime Shëndetësore.
“Vazhdojmë të jemi vendi i vetëm në rajon dhe Evropë pa sigurime të mirëfillta shëndetësore. Me sa e di unë, vetëm Somalia është në situatë të ngjashme”, ka thënë ai.
Teksa ka folur për Fondin për Sigurime Shëndetësore të vendit, ai ka thënë se numri i të punësuarve për dallim me vendet në regjion është tejet i vogël.
“Në momentin e themelimit të Fondit për Sigurime Shëndetësore ka filluar fuqizimi i kapaciteteve njerëzore. Në vitin 2017, përveç të punësuarve në AFSH, punësimi është arritur në 37, ndërsa deri në vitin 2018 janë bërë 43. Ky numër është pothuajse edhe sot, e që në krahasim me fondet në regjion ky numër është minor. Maqedonia e Veriut me 2 milionë e gjysmë banor ka 400 të punësuar, Mali i Zi me rreth 600 mijë banorë ka 250 të punësuar ndërkaq Kroacia që ka 4 milionë banorë ka 1300 të punësuar. Pra sa i përket situatës me të punësuar, Fondit për Sigurime Shëndetësore është shumë më keq sesa vendet e rajonit”, ka deklaruar Dreshaj.
Dreshaj ka thënë se procesi i sigurimeve shëndetësore është kompleks dhe do kohë, duke filluar me hartimin e rregulloreve dhe udhëzimeve administrative. Sipas tij, nevojiten së paku 25 rregullore dhe aktet nënligjore që e përbëjnë infrastrukturën ligjore bazuar në shtetet e rajonit.
“Një numër kaq i madh kërkon kohë dhe ekspertë. Vetëm në aspektin kohor kërkohet periudhë kohore më së paku dy vjet për hartimin e rregulloret e domosdoshme për zbatimin e ligjit”, ka deklaruar ai.
(10:39) Live| Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës
Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të shqyrtohet Propozim-rezoluta për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore.
Këtë propozim e ka dhënë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me përkrahjen e 42 deputetëve.
Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, kishte paralajmëruar thirrjen e seancës javën e kaluar.























