Koci: Shqipëria si qendër diplomatike në Ballkan, ndihmesë për Kosovën
BKT
Lajme

Koci: Shqipëria si qendër diplomatike në Ballkan, ndihmesë për Kosovën

V.Th. & G.K. /RTKlive

Sot kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, ishte nikoqire e Samitit rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

E për këto zhvillime në Tiranë analisti Melazim Koci tha se Tirana është duke u shndërruar në qendër diplomatike, dhe  ndoshta gjeopolitike për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor Tirana e ka primatin.

Ai tha në RTK se ky primat i Shqipërisë nuk është mirë vetëm për Shqipërinë por edhe për Kosovën, sepse në aspektin gjeopolitik strateget e jashtëm na shohin si një shtet.

“Sepse në raste të trazirave, në rast të ndonjë lufte që është fare e mundur nuk ka pastaj kufi, do të thotë se ne jemi një popull, dhe duke pasur Shqipërinë e tillë prapa shpinës, e anëtarësuar në NATO dhe me këtë intensitet aktiviteti diplomatik që po zhvillohet, kjo forcon faktorin shqiptar, forcon dhe Kosovën, sepse Shqipëria është e sigurt, sepse si anëtar i NATOS nuk guxon kush t’i sulmojë pa marrë një goditje”, tha Koci.

Koci theksoi se Shqipëria si faktor respektabil në Ballkan është ndihmesë për Kosovën.

Kurse sa i përket takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, Koci tha se e ka parë më shumë si një lloj përshëndetje të burokracisë të Bashkimit Evropian e cila sipas tij BE e ka ndjenjën e fajësisë në raport me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse nuk kanë bërë aq sa duhet për Ballkanin Perëndimor.

“Takimi i sotëm nuk më duket që ka shumë rëndësi , për një shkak shumë të thjeshtë, shuma që është ndarë për Ballkanin, për ballkanasit e varfër është shumë e konsiderueshme. Nëse ai 6 miliardësh pjesëtohet me 16 milionë banorë sa kanë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në katër vite i bije 100 dollarë për kokë banori”, tha Koci.

Koci shtoi se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, do të duhej të ishte në Tiranë sot për shumë arsye.

“Si kryeministër i Kosovës mbase edhe të kërkojë heqjen e sanksioneve, edhe për t’u dëgjuar vizioni i tij rreth çështjeve që janë shtruar aty, ai patjetër është dashtë të jetë aty sepse Kosovës i duhen këto takime më shumë se të tjerëve dhe nëse për asgjë tjetër të jetë i barabartë me Serbinë në tavolinë në çdo rast që është i mundur. Sepse pozicioni i Kosovës është i barabartë me të tjerët në këtë format”, tha Koci.

Pula: Bashkimi Evropian ka rënë në provim me Ballkanin Perëndimor

Analisti Shqipërim Pula, duke folur për samitin e sotëm që u mbajt në Tiranë, tha se ky takim i liderëve të shteteve të rajonit me Bashkimin Evropian është vazhdimësi e Samitit të nëntorit të vitit që lamë pas.

I ftuar në “RTK Prime” Pula tha se shumat financiare të deklaruara sot janë po të njëjtat që janë deklaruar në vitin që lamë pas, duke u ripërsëritur edhe çështja e projekteve dhe reformave në mënyrë që të përfitohen ato fonde.

Sipas tij Bashkimi Evropian ka rënë në provim me Ballkanin Perëndimor.

“Ajo çka është e rëndësishme të thuhet është se Unioni Evropian, Brukseli ka rënë në provim me Ballkanin Perëndimor për faktin se nuk ka arrit të gjejë konsensusin politik ndërmjet vendeve anëtare në Bruksel për të mos krijua pengesa për vendet e rajonit në rrugëtimin e tyre drejt integrimit në BE”, tha Pula.

“Në rastin e Kosovës është një rast i cili do një studim të thellë sepse në thelb mungon marrëdhënia dypalëshe Kosovë-Union Evropian, dhe të gjitha raportet që tashmë janë ndërtuar janë vërtetë jo brenda praktikave të mëhershme sipas parimeve të njohura me traktatet e Unionit Evropian për sa I takon ofrimit të projekteve dhe mundësive për të ndjek rrugën e anëtarësimit”, potencoi mes tjerash ai.

E duke folur për mospjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në këtë takim, Pula tha se nga ajo çfarë është pare,  kryeministri ka patur paraprakisht një agjendë në Britaninë e Madhe.

Ndërkohë kritikat e opozitës i quajti sipërfaqësore. 

“Spektri opozitar në një demokraci të shëndoshë është shpirti i demokracisë. Këtu te ne fatkeqësish,t demokracia jonë me këtë lloj opozite të cilës i mungojnë kauzat politike sikur ka ngecur dhe e vetmja gjë është …Meqenëse kryeministri fizikisht nuk ka qenë aty, paraqitja e tij përmes videomesazhit e ka bërë të mundur prezencën e tij”, u shpreh Pula.

 


MË SHUME NGA Lajme