Hovenier: Puna e prokurorëve është jetike për të ardhmen e Kosovës|VIDEO
BKT
Foto/ Arlinda Sejda/RTK
Lajme

Hovenier: Puna e prokurorëve është jetike për të ardhmen e Kosovës|VIDEO

Afet Bela / RTKlive

(E plotësuar, ora 10:30) Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffery Hovenier, në konferencën vjetore të Prokurorit të Shtetit, tha se puna e prokurorëve është jetike për të ardhmen e Kosovës dhe roli i prokurorisë ka peshë e ndikim të konsiderueshëm për atë se kush jep llogari dhe kush përfiton kompensim, sipas ligjit si në ShBA, po ashtu edhe në Kosovë.

“Pushteti, ndikimi dhe autoriteti që keni, gjithashtu sjellë edhe një përgjegjësi të madhe për të kërkuar drejtësi në bazë të ligjit dhe jo në bazë të interesave të ndonjë grupi, apo qeverive të caktuara”, tha diplomati amerikan, raporton RTKlive. Ambasadori Hovenier ka vlerësuar të arriturat e sistemit prokurorial në Kosovë.

Diplomati amerikan ka kërkuar që prokurorët të ruajnë pavarësinë e tyre. “Jam impresionuar me atë që kam parë me vendosmërinë tuaj dhe punën tuaj. Keni treguar përkushtim të madh. E di se puna e një prokurori nuk është e lehtë. Edhe pse mund të shiheni si figura të fuqishme është e pritshme që të kritikoheni me punën tuaj. Jam i bindur se është frustruese e ofenduese që të merrni kritika nga qytetarët e udhëheqësit e vendit. Dëshiroj të theksoj se durimi i këtyre kritikave që të mos ju pengojnë për të kryer punën tuaj është i rëndësishëm, duhet ta kryeni punën tuaj me profesionalizëm dhe pa ndikim”, ka thënë ambasadori Hovenier.

Kurse shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Tomáš Szunyog, tha se prokuroria është gurthemeli i një demokracie funksionale. Ai tha se pavarësia e prokurorisë është e panegociueshme.

“Kohëve të fundit fatkeqësisht kam vënë re deklarata nga pushteti duke kritikuar punën tuaj. Kam reaguar në këtë, kjo duhet të ndalohet. Dua ta përmend çështjen e kryeprokurorit te shtetit, kjo zgjidhje e përkohshme nuk duhet të zgjatet sepse ka ndikim negativ”, ka theksuar Szunyog.

Kelmendi: Pushteti gjyqësor e prokurorial është unik dhe i pandashëm|VIDEO

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, tha se pushteti gjyqësor dhe prokurorial është unik dhe i pandashëm në mbrojtjen e verave dhe parimeve të drejtësisë në Republikën e Kosovës. Ai ka falënderuar SHBA-të për mbështetjen ndaj sistemit të drejtësisë në vend. Kelmendi deklaroi se prokuroria ka pasur sukses në punën e saj.

"Uniteti ynë bëhet edhe me domethënës kur në këtë rrugë kemi miq, partner si SHBA dhe BE, të cilët vlerësojnë përpjekjet tona për sundimin e ligjit dhe njëkohësisht janë avokuesit tanë më të mëdhenj sa herë që tentohet të cenohet pavarësia jonë kushtetuese dhe ligjore. Viti i kaluar ishte vit i sfidave, por konsideroj se ishte edhe efikas. Gjatë vitit 2023, prokuroria e shtetit ka pranuar 52 mijë raste, nga të cilat ka përfunduar 41 mijë raste. Në vitin 2023, Kosova ka shënuar rezultate në sundimin e ligjit”, deklaroi ai.

No description available.

Mbahet konferenca e prokurorit të shtetit, marrin pjesë Hovenier e Szunyog

Sot në Prishtinë, do të mbahet konferenca vjetore e prokurorit të shtetit.

Në këtë konferencë përveç kryeprokurorëve dhe prokurorëve, nga të gjitha prokuroritë, do të marrin pjesë edhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffery M. Hovenier dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog.

Në konferencë do të jenë pjesëmarrës edhe kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi dhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj dhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj.


MË SHUME NGA Lajme