Kurti: Regjimi autokratik në Serbi është nxitur nga pushtimi i Ukrainës
Medina Pasoma/RTKlive
(E plotësuar, ora 9:40) Kryeministri Albin Kurti në konferencën ”Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik” teksa ka folur për diplomacinë në terma të përgjithshëm, ka përmendur autokracinë serbe ndaj Kosovës.
“Në rajonin tonë shohim se si regjimi autokratik në Serbi është nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë. Në dy vitet e para të qeverisjes sonë, ata kanë sjellë katër herë ushtrinë te kufiri ynë, kanë sponsorizuar terrorizmin, kanë shpërndarë gënjeshtra dhe narrativa të rrejshme për të përligjur veprat e tyre ndaj Kosovës dhe rajonit”, ka thënë Kurti.
Superioritetin e një grupi ndaj tjetrit Kurti e ka quajtur steriotip të vjetër, teksa ka bërë thirrje për dialog dhe gjithpërfshirje.
“Ka ende historikisht dallime politike dhe pabarazi socioekonomike, të cilat kërcënojnë të na ndajnë në vend që të bashkohen. Kjo është arsyeja pse duhet të promovojmë principet e dialogut dhe gjithpërfshirjes, të cilat janë esenciale për të krijuar ura ndërmjet njerëzve dhe shteteve”, ka deklaruar Kurti.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se vet shtetësia e vendit ka kaluar në procese diplomatike.
“Vetkrijimi i shtetit të Kosovës ka marrë shumë përpjekje diplomatike dhe ka kaluar në shumë faza të trajtimit diplomatik”, ka deklaruar ai.
Tutje ka përmendur disa nga trupat e rëndësishme evropiane, pjesë e së cilave është Kuvendi i Kosovës dhe ka thënë se po punojnë për forcim të bashkëpunimit diplomatik.
“Ne po punojmë që përmes bashkëpunimit me donatorët ndërkombëtare brenda Kuvendit t’i forcojmë kapacitetet e deputetëve dhe stafit parlamentar mbështetës, sa i përket forcimit të bashkëpunimit ndërparlamentar me shërbimet homologe të vendeve të rajonit dhe më gjerë”, ka deklaruar Konjufca.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka thënë se Serbia është prishëse e stabilitetit rajonal, me ç’rast sipas tij, në Ballkanin Perëndimor është vështirë të flitet për një rajon të unifikuar në çështjet e sigurisë.
“Ndoshta Kosova është i vetmi vend në rajon ku kryeministri e kryetari i Kuvendit të dëgjon. Le të mos harrojmë që Evropa është një projekt gjeopolitik. Në Ballkanin Perëndimor është vështirë të flasësh për një rajon të unifikuar sa i përket çështjeve të sigurisë. E kemi Serbinë që është prishëse e stabilitetit rajonal”, ka theksuar ai.
Drejtori i FES-it për Kosovën, Peter Hurrelbrink ka theksuar se po ndodh një dinamikë e re, për shkak të luftës në Ukrainë.
“Është e rëndësishme të diskutojmë sfidat, tensionet, t’i përforcojmë institucionet demokratike. Shoqëria civile ka një rol të jashtëzakonshëm por vendoset në rolin sekondar, nuk mund të ketë progres, nuk mund të kemi media të lira pa shoqërinë civile, pra përfshirjen e tyre. Ka shumë tema për të diskutuar, ka shumë pak progres për të përmirësuar jetën, premtimet e BE-së, janë të rëndësishme nëse BE-ja nuk vjen te ne, ne do shkojmë në BE”, ka deklaruar Hurrelbrink.

Fillon konferenca për diplomaci, siguri dhe integrim
Ka filluar Konferenca ”Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik” e organizuar nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, me mbështetje të organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung Kosovo Office (FES).
Në këtë konferncë po marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe diplomat të huaj që veprojnë në Kosovë.























