Tahiri: Pa luftën e UÇK-së dhe familjes Jashari nuk do të arrihej liria
M. Pasoma & B. Halimi / RTKlive
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e familjes Jashari nuk do të arrihej çlirimi dhe shtetndërtimi i Kosovës.
“Lufta heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari shënojnë një nga ngjarjet më të rëndësishme në tërë historinë e kombit shqiptar. Ngjarjet si ajo e marsit 1998 kanë vlerë të posaçme sepse janë pikë ndarje epokash”, ka thënë Tahiri në seancën solemne në nderim të 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Ai ka thënë se lufta heroike e familjes Jashari e ndanë kufirin e epokës së durimit nga epoka e kryengritjes.
“Ajo është kthesa ku merr kahje tjetër e tërë historia e mëpastajshme e Kosovës dhe popullit shqiptar në përgjithësi në Ballkan. Kjo ngjarje madhore e ka edhe një funksion tjetër. Atëbotë ajo u dha një shpresë një populli të tërë. Ajo i dëshmoi një populli të tërë se ekziston një mundësi reale për rezistencë e çlirim. Nuk kishte mundësi tjetër për të dalë nga robëria pos me luftë, sakrificë, heroizëm e martirizim”, shtoi tutje Tahiri.
Ai tutje theksoi se nga lufta e familjes Jashari populli ynë mori zemër, u mbush frymëzim dhe riktheu vetëbesimin në forcat e veta.
Tahiri tutje tha se lufta e UÇK-së e bindi faktorin ndërkombëtar që të ndërhyjë dhe ta ndërpresë gjenocidin ndaj popullit shqiptar, teksa përmendi krerët e UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë, e për të cilët theksoi se po e mbrojnë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tahiri i AAK-së: 6, 7 dhe 8 marsi – kulmimi për sakrificë e liri
Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se në datat e Epopesë së UÇK-së është ndërtuar boshti i dashurisë, sinqeritetit, miqësive dhe besës.
“6,7 dhe 8 marsi nuk mund të themi se thjeshtë janë ditë dhe data. Ato janë kulmimi i një trashëgimie, burim shpirtëror për lirinë e ndjenja më sublime për sakrificë e luftë për liri”, ka thënë ai.
Selimi përkujton luftëtarët në Hagë: Drejtësia do të triumfojë
Përfaqësuesja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, nuk ka lënë pa kujtuar edhe luftëtarët të cilët po mbahen në Hagë.
“Sot këtu në homazhe, në përkujtim do të duhej të ishin ata që luftuan. Por ata janë larg nga këtu, e larg nga Prekazi. Drejtësia në çdo rast do të triumfoj”, ka thënë ajo.
Selimi ka thënë se ditët e shënuara të marsit përbëjnë ngjarjen më të madhe të kombit, por se pikërisht tash duhet të kujtohen mësimet e historisë.
“Kohët që po kalojnë nuk janë aspak të qeta. Ata na kujtojnë se armiku është i njëjtë tash e një shekull, dredhitë, egërsia e fshehur po e njëjtë. Në këtë kohë na duhen më shumë se kurrë mësimet e Ademit e Hamzës: për atdheun asnjë kompromis, për atdheun nuk zgjedhim asnjë të keqe as të madhe e as të vogël, për atdheun s’ka rrugë tjetër veçse të qëndrojmë tash e përgjithmonë”, ka thënë Selimi.
Çuni e quan popullin shqiptar fatlum për familjen Jashari
Përfaqësuesi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni, ka thënë se me sakrificën e tyre familja Jashari është bërë familje e gjithë vendit.
“Faqebardhësinë dhe fatlumësinë tonë e ka vulosur vepra e familjes së madhe Jashari. Paraardhësit e komandantit legjendar Adem Jashari, e kishin parashkruar historinë dhe fatin e tyre drejt rrugës së lirisë. Në të gjitha rastet e nga të gjitha mundësitë, familja e madhe angazhohej për lirinë e vendit”, ka thënë Çuni.























