Abdixhiku: Familja Jashari zgjodhi lirinë prandaj edhe mori përjetësinë
F.Sertolli / RTKlive
Në 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari.
“Datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri e çlirim; sakrificën sublime të Familjes Jashari e me këtë dhe fillimin e fundit të përpjekjes sonë shekullore për liri”, thuhet në përkujtimin e Abdixhikut.
Tutje ka shkruar se flijimi i familjes Jashari në altarin e lirisë, ishte sakrificë ultime e gdhendur në mendjen e mësuesit Shaban Jasharit, të Komandantit legjendar Adem Jashari e të Hamëz Jasharit.
“Ata zgjodhën lirinë prandaj dhe morën përjetësinë. Rënia heroike e tyre, përballë forcave ushtarake e paraushtarake të Serbisë, ishte kushtrim për një popull të tërë. Ishte këmbanë për luftën dhe përpjekjen tonë kolektive drejt lirisë, e për aleancat e ardhshme që do të rreshtoheshin me idealin e tyre e tonin pa dallim”, ka theksuar i pari i LDK-së.
Ai tutje theksoi se në këtë 26 vjetor të Epopesë së UÇK-së, i kujtojnë me nder e krenari, fëmijët, gratë dhe burrat më të mirë të kombit që sakrifikuan jetën për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë sot.
“Është obligim i secilit nga ne që të punojmë fort çdo ditë e më shumë në forcimin dhe avancimin e shtetit tonë, sepse vetëm kështu i nderojmë dhe e dërgojmë në vend amanetin e të rënëve të Familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës. Lavdi e përjetshme për Familjen Jashari!”, ka përfunduar Abdixhiku.























