Tahiri-Beqa: Vizita e Lajçakut, mesazh për zbatim të marrëveshjeve
BKT
Lajme

Tahiri-Beqa: Vizita e Lajçakut, mesazh për zbatim të marrëveshjeve

Emine Hoti/RTKlive

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka qëndruar sot për vizitë në Kosovë. Politologia, Arta Tahiri-Beqa, tha se vizita e Lajçakut është një mesazh për fillimin e zbatimit të marrëveshjeve.

Sipas saj vizita e Lajçakut ka të bëjë edhe me atë se zgjedhjet e Bashkimit Evropian janë drejt fundit dhe duan që mandati i tyre të përfundojë me rezultate konkrete.

“Këta emisarë të ngarkuar për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk duan të përfundojnë mandatin e tyre pa një zgjidhje konkrete, apo zbatim të marrëveshjes”, tha ajo.

Siapas Tahirit, formimi i Asociacionit të Komunave është pika kryesore që Bashkimi Evropian kërkon nga Kosova.

“Ne po shohim që kjo është një nga pikat që prolongohet në vazhdimësi. Kjo vazhdon si pasojë e asaj që na lë për të kuptuar që kryeministri Kurti nuk do të bëjë një hap konkret për çështjen e Asociacionit të Komunave sepse do t’i kushtojë jashtëzakonisht shumë, duke e ditur që tani mund të ketë zgjedhje”, tha ajo.

Ajo theksoi se nëse zbatimi i marrëveshjeve nuk vazhdon brenda afatit kohor nga të dyja palët, atëherë marrëveshjet e deritanishme dhe i gjithë mundi i Bashkimit Evropian për zbatimin e tyre do të ishin një dështim.

“Në këtë rast mendoj se do të humbte edhe kredibiliteti i Bashkimit Evropian në fuqinë që mund të ketë ai në dialogun Kosovë –Serbi”, u shpreh ajo.

Tahiri- Beqa deklaroi se nuk sheh një situatë ku të dy palët duan të zbatojnë marrëveshjen.

“Qëndrimin e palës kosovare e kuptoj sepse po kërkon me ngulm që marrëveshjet të zbatohen nga të dyja palët”, nënvizoi ajo.


MË SHUME NGA Lajme