Nemec emërohet raportues për heqjen e vizave për pasaportat serbe në Kosovë
M.Miftari/RTKlive
Përfaqësuesi evropian, Matjazh Nemec, u emërua raportues për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës të cilët posedojnë pasaporta nga Serbia.
Ai e konfirmoi emërimin përmes rrjeteve sociale duke shpresuar për një vendim të shpejtë për anulimin e vizave për serbët e Kosovës, që kanë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe.
“Departamenti i Punëve të Brendshme të PE-së më ka emëruar zyrtarisht si raportues për heqjen e vizave për serbët e Kosovës, të cilët janë mbajtës të pasaportave speciale, dhe të tjerët në Ballkanin Perëndimor që kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në BE. Shpresoj për pranim të shpejtë!”, ka shkruar Nemec.
Ndryshe qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta të Republikës së Kosovës e gëzojnë regjimin pa viza që nga 1 janari i këtij viti, por, sikundër dihet, nga ky vendim u përjashtuan ata qytetarë që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Autoriteti Koordinues, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, autoritet ky që nga Qeveria e Kosovës konsiderohet institucion ilegal .
Derisa vendimin për heqjen ose jo të vizave e marrin Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian, Parlamenti Evropian përfundon punën në prill, pasi institucioni hyn në fushatë parazgjedhore për zgjedhjet evropiane që do të mbahen në qershor. Prandaj mbetet e paqartë nëse do të ketë kohë të mjaftueshme për t’i respektuar të gjitha procedurat që vendimi për këtë të merret gjatë mandatit aktual të Parlamentit Evropian.
























