Kurti uron Suedinë: Një NATO më e fortë do të thotë një Evropë më e sigurt
Afet Bela/ RTKlive
Suedia sot zyrtarisht është bërë anëtarja e 32-të e Aleancës Veriatlantike, NATO-s, pas përfundimit të procesit të anëtarësimit në Uashington.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Suedinë për anëtarësim në NATO. Ai ka shkruar në platformën “X”, se tani Evropa është edhe më e sigurt.
Kurti tha se mezi presin që ushtarët suedezë të vijnë në Kosovë në kuadër të KFOR’it. “Urime Suedisë që u bë pjesë e NATO-s si anëtari i 32. Një NATO më e fortë do të thotë një Evropë më e sigurt dhe një shans më i madh për paqe pas pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia. Mezi presim të mirëpresim ushtarët e parë Suedisë në kuadër të KFOR-it në Kosovë për të ndihmuar në mbrojtjen e kufirit tonë kundër agresionit të Serbisë”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe dorëzimi i dokumenteve të anëtarësimit të Suedisë në NATO u bë gjatë një ceremonie, dy vjet pas aplikimit për t’iu bashkuar Aleancës e këtë e bëri pas fillimit të luftës së Rusisë për pushtimin e Ukrainës.























