Tërnava Osmani: Shoqëria e Kosovës është e kodifikuar në mënyrë mashkullore
Kimete Kasumi/RTKlive
Në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK e ftuar sot ishte Sadete Tërnava Osmani, profesoreshë universiteti dhe aktiviste për të drejtat e grave. Ajo, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, foli për pozitën e grave në Kosovë, për punësimin dhe përfaqësimin e grave në vendin tonë. E pyetur se a duhet festuar kjo ditë, ajo tha se, meqë është datë e rëndësishme, edhe duhet festuar.
“Nuk kam koncept të caktuar se a do të duhej të ishte ashtu apo në një mënyrë tjetër, megjithatë, po mos të ishte për ta shënuar, s’po them festuar, kjo nuk do të ekzistonte si datë. Por, meqenëse është datë e rëndësishme, unë mendoj se edhe duhet ta festojmë”, tha ajo.
Më tutje, ajo shtoi se “ne ende jemi një shoqëri e kodifikuar në mënyrë mashkullore”.
“Po qe se ndalesh dhe vështron e ke një sy pak më observues, e sheh që ende shoqëria kosovare është një shoqëri e kodifikuar mashkullore, për arsye se gjërat në rend të parë duken mirë, duket se kemi një ngritje dhe kulturë. Po, si në shumë pore të tjera të jetës, këto janë vetëm të etabluara. Ne si shoqëri e dalë shpejt nga lufta dimë edhe t’i etablojmë gjërat mirë, t’i fshehim mirë, t’i kamuflojmë, t’ua vëmë shminkë ngjarjeve. Kanë të drejtë plotësisht kur thonë se ende jetojmë në një shoqëri që thellë ende është e kodifikuar në mënyrë mashkullore”, shtoi Tërnava Osmani.























