Kurti vizitoi Klinikën e Gjinekologjisë, sheh nga afër punimet në renovim
B. Halimi | RTKlive
Heronj të heshtur të gjallë. Kështu i quajti kryeministri Albin Kurti, mantelbardhët ndaj të cilëve shprehu falënderime dhe mirënjohje të thellë për angazhimin, kontributin, punën dhe përkushtimin e pandalshëm gjatë vizitës në QKUK.
Kryeministri Kurti, i shoqëruar edhe nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatës ditës vizituan Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht Klinikën Gjinekologjike Obstetrike. Në këtë vizitë ata u mirëpritën nga drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, drejtori i QKUK-së, Osman Hajdaraj, drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj dhe stafi shëndetësor i kësaj klinike.
Vizitën e tij në Klinikën e Gjinekologjisë, kryeministri Kurti e realizoi për të parë nga afër punimet në kuadër të renovimeve në katër reparte të kësaj klinike nga gjithsej 13 reparte. Këto renovime që mbulojnë një hapësirë prej 5000m2, përfshijnë korridoret, dhomat, shtretërit.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, në kuadër të këtij projekti për renovime përfshihet edhe digjitalizimi i pjesës hyrëse të klinikës, pra tek recepsioni, i cili do të lehtësojë punën e stafit dhe do të minimizojë pritjet e gjata të pacientëve për të marrë shërbime.
“Le ta shfrytëzojmë këtë vizitë që t’ua kthejmë një pjesë të vogël të borxhit të pamatshëm që në parim është i pakthyeshëm”, theksoi kryeministri.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se ashtu siç ishin dakorduar që gjinekologjia të jetë në prioritet të kësaj qeverie për investime dhe përmirësimin e kushteve për gratë e vajzat, është i lumtur që janë pothuajse në mbarim të punëve të cilat i kanë diskutuar, e që në fillim janë dukur të pamundshme.
“Jam i lumtur që pas këtyre renovimeve kushtet e juaja dhe potenciali i juaj për të dhënë shërbime sa më të mira për pacientet tona do të jetë në një nivel tjetër”, tha ai, duke falënderuar drejtorin e SHSKUK-së dhe atë të QKUK-së për bashkëpunimin dhe koordinimin e jashtëzakonshëm në arritjen e kësaj objektive.
Me këtë rast, edhe drejtori i Gjinekologjisë, Dr.Zef Ndrejaj, tha se në këtë projekt që po punohet në jetësimin e tij, do të futen 3 shërbime të reja, të cilat përfshijnë Fertilizimin e Asistuar Mjekësor, i cili pritet që shumë shpejtë të funksionalizohet pasi që pajisjet veçse janë në tenderim, Mjekësinë Fetale, Shërbimin e Amnoicentezës, ku ky i fundit nënkupton identifikimin e anomalive tek fëmijët në barkun e nënës që në muajt e parë të formimit.
Ai shtoi se këto shërbime do të bëhen për herë të parë në Republikën e Kosovës, në QKUK, gjegjësisht në Klinikën Gjinekologjike.
Kryeministri i shoqëruar nga ministri Vitia zhvilluan një takim me stafin e kësaj klinike, të cilët shprehen falënderime dhe mirënjohje për mbështetjen që vjen nga Qeveria përmes krijimit dhe përmirësimit të kushteve të punës, e cila për ta nënkupton edhe inkurajim e përkushtim më të lartë në ofrimin e shërbimeve më cilësore për pacientët.
.jpg)
.jpg)
.jpg)























