Shkalla e dytë e Komerciales i jep të drejtë MBPZHR në rastin `Patroni`
BKT
Foto| Elmina Osmani
Lajme

Shkalla e dytë e Komerciales i jep të drejtë MBPZHR në rastin `Patroni`

Elmina Osmani/RTK

Vendimi i shkallës se dytë i Gjykatës Komerciale, mbi çështjen e pompës së karburanteve “Patroni” i ka dhënë të drejtë Ministrisë së Bujqësisë. Në dokumentin e Gjykatës Komerciale, të siguruar nga RTK, thuhet Gjykata ka refuzuar si të pabazë kërkesën e paditësit N.T.Sh. "Patroni" ndaj Ministrisë së Bujqësisë.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural më 1 shkurt kishte marrë vendim për lirimin e disa pronave, të cilat janë nën pronësi të këtij institucioni. Lirimi i këtyre pronave ishte zhvilluar nën asistimin e Policisë së Kosovës, ku kjo e fundit kishte vendosur edhe shirita në pikën e karburanteve "Patroni".

E menjëherë pas vendimit të Gjykatës, ka reaguar ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili ka përshëndetur vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, e cila e hodhi poshtë vendimin e shkallës së parë karshi kontestit për lirimin e pronës së Ministrisë së Bujqësisë e cila po shfrytëzohet, siç ka thënë ai, pa marrëveshje.

Vendimin e shkallës së parë, Peci e quajti joprofesional, derisa të tashmin e quajti fitore të radhës kundër zhvatësve. Ministri ripërsëriti se në atë vend do të ndërtohet objekti i ri i Ministrisë së Bujqësisë dhe agjencive vartëse që i plotësojnë kushtet për akreditim.

Kujtojmë se Shkalla e Parë e Gjykatës Komerciale kishte marrë vendim që të shtyjë ekzekutimin e vendimit të ministrit Faton Peci, për mbylljen e pompës së derivateve ”Patroni”.


MË SHUME NGA Lajme