Gjykata Themelore në Ferizaj jep detaje për zjarrin në Kaçanik (FOTO)
M.Pasoma / RTKlive
(E përditësuar) Gjykata Themelore në Ferizaj ka reaguar pas zjarrëvënies në objektin e degës në Kaçanik.
Sipas reagimit, zjarrëvënia është e qëllimshme dhe nga persona të panjohur deri më tani. Në pamjet e siguruara nga RTK shihen dëmet nga zjarri.
Bëhet e ditur se zjarri ka kapluar një pjesë të dy zyrave të katit të dytë të objektit.
“Ekipi i zjarrfikësve dhe policia kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes me çka është lokalizuar zjarri, janë ndërmarrë masat e nevojshme dhe zjarri është shuar si dhe kanë zhvilluar procedurat dhe marrjen e provave. Si pasojë e zjarrit ka pasur dëme materiale por jo pasoja me njerëz”, thuhet në reagim.
Përfshihet nga zjarri Gjykata Themelore në Kaçanik, dëmtohen dy zyre
Gjykata Themelore në Kaçanik është përfshirë nga zjarri në mesnatë. Zjarri është lokalizuar teksa të dëmtuara kanë mbetur dy zyre të objektit.
“Ju njoftojmë se me datën 13.03.2024 rreth orës 03:55 kemi pranuar një informatë se në Objektin e Gjykatës Themelore - dega në Kaçanik ishte një zjarr vënie. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të zjarrfikësve të cilët rreth orës 04:40 kanë lokalizuar dhe shuar zjarrin. Si pasojë e këtij incidenti nga zjarri janë dëmtuar dy zyre të kësaj gjykate”, ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Ai ka thënë se në vendngjarje kanë dalë patrullat e stacionit të Kaçanikut e më pas edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonal nga Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët nën autorizim të prokurorit i kanë nisur hetimet intensive.
“Nga hetimet e para dyshohet se kemi të bëjmë me zjarr vënie nga 3 persona të panjohur, e që hetuesit policor janë duke grumbulluar informacione në terren në zbardhjen sa më shpejt të këtij rasti”, ka deklaruar ai.

























