Mehmedi: Gratë kanë dhënë kontribut të pakontestueshëm në arsim dhe kulturë
K.Kasumi/RTKlive
Besiana Mehmedi, organizatore e manifestimit “Gratë në kulturë”, edicioni i tretë, në emisionin e mëngjesit "Mirëmëngjesi Kosovë", tha se ky manifestim ka arritur të bëhet në tradicional dhe të ketë jehonën dhe peshën e duhur në rrethin dhe shoqërinë që jetojmë.
Ajo shtoi se, megjithatë, ende ka nevojë që zëri i grave të dëgjohet, i grave të fuqishme, i grave që paraqesin një model ndryshe, i grave që kanë kontribuar të shërbejnë si model.
"Sfidat dhe rrugëtimi i grave në arsim dhe në kulturë është tema për të cilin flasim dhe kemi folur më 8 mars në Shkup. Gratë sigurisht kanë dhënë kontribut të pakontestueshëm në arsim dhe kulturë dhe kjo dëshmohet edhe për pjesën e grave të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke filluar nga Motrat Qiriazi në mësonjëtoren e parë shqipe në Korçë, e më pas Nënë Tereza, e cila, përveç që është simboli i grave të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, ka qenë pjesë e kulturës në vitet ’30. Ka qenë pjesë e shoqërisë së parë ‘Zani i Maleve’ bashkë me motrën e vet dhe ka kënduar këngën e parë të Lorenc Antonit - kushëririt të vet, përndryshe krijuesit të parë të shkollës së parë të muzikës në Prizren më 1928", theksoi Mehmedi.























