Szunyog: Vendimi për pronat e Manastirit tregon përkushtimin e Kosovës
BKT
Lajme

Szunyog: Vendimi për pronat e Manastirit tregon përkushtimin e Kosovës

N.Mekolli /RTKlive

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se vendimi i sotëm i Qeverisë për dhënien e tokës Manastirit të Deçanit tregon përkushtimin e Kosovës.

Szunyog, në një postin në platformën X, ka shkruar se pas një pritje të gjatë, implementimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 për rastin e tokave të Manastirit të Deçanit më në fund u bë realitet.

“Pas një pritje të gjatë, implementimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 për rastin e tokave të Manastirit të Deçanit u bë realitet më në fund. BE-ja bazohet në sundimin e ligjit. Ruajtja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Vendimi i sotëm është një hap i mirëpritur, i cili tregon përkushtimin e Kosovës”, ka shkruar Szunyog.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot se Qeveria ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale të Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën e manastirit të Deçanit.

Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nxori një vendim që detyronte komunën e Deçanit t'ia kthejë manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë dhe pyll.


MË SHUME NGA Lajme