Detaje për shenjat e trafikut në Leposaviq, katër të dehur të ndaluar
M.P. / RTKlive
Rasti i dëmtimit të shenjave të sapovendosura të trafikut në Leposaviq fillimisht ishte përcjellë me arrestimin e katër personave të dehur.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
“Katër persona i kemi ndaluar fillimisht, që të gjithë të dehur. Në fund dy personave ju janë shqiptuar tiketa për dehje në vend publik, një i dyshuar për vandalizëm (kundërvajtje) dhe një ka mbetur dëshimtar. Asnjëri nuk është arrestuar”, tha Elshani.
Ai konfirmoi se shenjat e trafikut që janë dëmtuar janë tabelat e vendbanimeve që janë vendosur së fundi, të cilave iu është shtuar edhe gjuha shqipe.
Ndërkaq në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës në mëngjesin e sotëm bëhej me dije se është arrestuar një shtetas i Serbisë për rastin.
“Vandalizëm - Leposaviq / 16.03.2024 01:45. Është arrestuar i dyshuari mashkull/s, shtetas i Serbisë për shkak se i njëjti dyshohet se i ka dëmtuar dy shenja të trafikut. I dyshuari me vendim të gjyqtares është dërguar për procedim në gjykatën për kundërvajtje", thuhej në njoftim.























