Anulohen dy seanca në rastin e ish-krerëve të UÇK-së|Video
BKT
Gjykata Speciale

Anulohen dy seanca në rastin e ish-krerëve të UÇK-së|Video

Sh. Çoçaj/RTKlive

(E plotësuar, ora 10:12) Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është marrë vendim nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III se në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit të anulohen seancat e datës 21 mars dhe 22 gusht 2024. Sipas trupit gjykues, ky vendim është marrë për shkak se ka kontradikta në mes datave.

Në fillim të seancës gjyqësore, Smith III  ka theksuar se do të fillojë dëshminë dëshmitari i 49-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04811.

Vlen të theksohet se sot e pranishme në seancën e gjyqit ishte edhe bashkë-mbrojtësja e re e ekipit të Thaçit, Nina Tavakoli për të cilën është thënë se do të parashtrojë pyetje për dëshmitarin. Po ashtu, ajo pati një çështje për të parashtruar mirëpo për këtë gjë kërkoi sesion privat gjë e cila u miratua nga trupi gjykues.

Në fillim të seancës, Smith III ka njoftuar se Thaçi dhe Krasniqi janë të pranishëm në sallë përmes video-lidhjes ndërsa Veseli e Selimi janë fizikisht aty.

Vazhdon gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Seanca gjyqësore pritet të fillojë në ora 09:00.

Ndryshe Dhomat e Specializuara me 28 shkurt ka mbaruar dëshminë e tij dëshmitari i 48-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin 01140 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar u mor në pyetje nga ZPS-ja, mbrojtja e të akuzuarve, mbrojtja e viktimave dhe trupi gjykues nën masa mbrojtëse si dhe në sesion privat për publikun.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale