Nis dëshminë dëshmitari i 51-të në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Sh. Çoçaj/RTKlive
(E plotësuar, 10:25) Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e ka nisuar dëshminë e tij, dëshmitari i 51-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04446 në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja Bega Joviça, dëshmitarit i ishte arrestuar vëllai i tij nga UÇK-ja e që kufoma e tij nuk u gjet më kurrë.
“Dëshmitari Ë04446 mësoi nga një i afërm se vëllai i tij ishte i arrestuar nga UÇK-ja. Kur Ë04446 shkoi që të kërkonte vëllanë, ushtarët e UÇK-së i thanë që të fliste me një komandant të UÇK-së i cili e konfirmoi se vëllai i Ë04446 ishte aty dhe se çështja e tij po hetohej duke qenë se UÇK-ja besonte se ishte bashkëpunëtor i okupatorit. Ë04446 e anëtarë të tjerë të familjes shkuan sërish që të pyesin për vëllanë e tij disa herë, në një moment të caktuar Ë04446 e kuptoi se vëllai i tij nuk ndodhej më në komandën e UÇK-së dhe e kërcënuan që të mos kthehej më. Kufoma e vëllait të Ë04446 nuk u gjet kurrë”, ka deklaruar prokurorja.
Dëshmia e këtij dëshmitari është duke vazhduar në sesion privat për publikun, për shkak se ai është me masa mbrojtëse.
Përpara nisjes së dëshmisë, u pranuan si prova materiale të gjitha deklaratat që dëshmitari i kishte dhënë më herët përpara autoriteteve të hetuesisë së bashku me materialet përcjellëse.
Vazhdon gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të hënën në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka dëshmuar dëshmitari i 50-të, Claude Cahn i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Claude Cahn ka theksuar se me 1999 kanë parë civil duke djegur shtëpi dhe se situata në Kosovë ngjasonte me anarki.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, dëshmitari ka deklaruar se civilët silleshin çuditshëm gjatë asaj kohe.
Cahn ka theksuar se gjatë qëndrimit në Kosovë nuk kanë folur për strukturën e UÇK-së me KFOR-in.
Këtë përgjigje, ai e dha në pyetjen e avokatit të Rexhep Selimit, Eric Tully, se a kanë biseduar me KFOR-in për strukturën e UÇK-së.
Dëshmitari Cahn, ka deklaruar se nuk i kujtohet të ketë parë shtëpi të djegura në Krushë të Madhe dhe të ketë pasur masakër aty.
“Nuk më kujtohet që kam parë shtëpi të djegura në Krushë të Madhe dhe nuk e di se aty të ketë ndodhur një masakër”, ka theksuar Cahn.
Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Krasniqit, avokatit Aidan Ellis, se a ka parë shtëpi të djegura gjatë vizitës së bërë në Krushë të Madhe dhe se a ka dëgjuar që në këtë vend ka pasur një masakër.























