Arifi: Dinari duhet të ishte çështje e brendshme e Kosovës
G.Kelmendi|RTKlive
Ish kryenegociatori Avni Arifi i ka quajtur ‘metamorfozë ‘ qëndrimet e qeverisë së Kosovës për çështjen e dinarit.
Duke folur për takimin në Bruksel, veçanërisht për pajtimin që të dy palët t’i dorëzojnë propozimet lidhur me vendimin e BQK-së, Arifi në "RTK Prime" tha se qeveria i ka ndryshuar disa herë qëndrimet .
“Së pari nga qeveria është thënë se nuk shkojmë në Bruksel për çështjen e dinarit, pastaj se është çështje e brendshme e Kosovës, pastaj se është çështje teknike dhe dërgohet Guvernatori në bisedime, pastaj se nuk cenohet rregullorja e BQK-së….e ndërsa tani për këtë temën që ishte e brendshme, faktikisht zevëndëskryeministri u pajtua që edhe Serbia të ketë të drejtë të japë propozime se si të tejkalohet, deklaroi Arifi.
Sipas Arifit deri te kjo situatë Kosova ka ardhur si pasojë e kokëfortësisë së qeverisë që të mos merr parasysh këshillat e miqëve ndërkombëtar.
“Kjo ka qenë çështje e brendshme e Kosovës e tash qeveria Kurti po thotë se secila palë të sjellë propozimin. Këtu është dashtë me qenë vetëm një palë, pala e Kosovës dhe Kosova është dashur që ta pranoj propozimin që i është dhënë nga bashkësia ndërkombëtare, sepse përveq Rusisë e Serbisë askush nuk është kundër këtij vendimi. Por kokëfortësia e tyre që në asnjë mënyrë mos të pranojnë sugjerimet perendimore, ka sjellë në një situatë që edhe Serbia të ketë të drejtë në këtë çështje”, tha Arifi.
Arifit thotë se veprimet e kryeministrit pa u koordinuar me miqtë ndërkombëtar kanë ndikuar në ftohje të raporteve . Ai thekson se amerikanët kanë paralajmëruar vazhdimisht se partneriteti që po e ndërton kryeministri Kurti është në kundërshtim me frymën që SHBA-të kanë pasë më popullin e Kosovës.
“Tash kemi mrri në një shkallë që kryeministrin e kanë ekskomuniku krejtë, nuk flasin fare me kryeminstrin. Vijnë delegacione të larta shtetërore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk e takojnë fare kryeministrin takojnë vetëm presidenten. Dhe del emisari special i presidentin Biden dhe thotë ne duam të punojmë me presidenten”, deklaroi Avni Arifi.























