Fillon dëshminë dëshmitari i 52-të, ZPS thotë se u ndalua nga UÇK-ja|Video
Sh.Ç/ RTKlive
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 52-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të UK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Pas mbarimit të dëshmisë së dëshmitarit të 51-të, seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka vazhduar me dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit të 52-të të Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04571.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja Dunjata Daviu, dëshmitari është ndaluar nga anëtarët e UÇK-së dhe është dërguar në një shtab lokal.
“Rreth muajit gusht të 1998, Ë04571 shqiptar nga Kosova është arrestuar nga disa ushtarë të UÇK-së. Ë04571 është dërguar me autoveturë në një shtab lokal të UÇK-së, është marrë në pyetje nga anëtarë të UÇK-së, përfshirë edhe bashkë të ndaluar të tjerë dhe iu është thënë se ai duhet ta ndihmonte UÇK-në. Ai ka parë tek të ndaluarit të tjerë shenja të rënda të keqtrajtimit. Ë04571 ende vuan me disa probleme të caktuara si pasojë e këtij ndalimi”, ka deklaruar prokurorja.
Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe dëshmia e tij është duke u dëgjuar në sesion privat për publikun, me arsyetimin e mbrojtjes së identitetit të tij.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth 6 orë, ku 5 e gjysmë prej tyre i ka planifikuar mbrojtja për kundërpyetje, ndërsa ZPS-ja ka paraparë rreth 1 orë pyetje për këtë dëshmitar.
Para se të fillojë dëshminë e tij ky dëshmitar, me urdhër të trupit gjykues u pranuan si prova materiale të gjitha deklaratat e mëhershme të tij, së bashku me materialet përcjellëse të dhëna në autoritetet e hetuesisë.
Në fillim të sesionit të pasdites, avokatja bashkëmbrojtese e Veselit, Ann Rowan kishte kundërshtime lidhur me disa dokumente që ZPS-ja ka planifikuar që t’ia prezantojë dëshmitarit.
Rowan ka deklaruar se u njoftuan me vonesë nga ZPS-ja lidhur me këto dokumente. Ndërsa, ZPS-ja tha se i kanë njoftuar me kohë ekipet e mbrojtjes.
Kundërshtimi i avokates u rrëzua, ndërsa gjykatësja Smith kërkoi nga ZPS-ja që të jenë të kujdesshëm dhe të njoftojnë paraprakisht për dokumentet që do t’i përdorin.
Ndërsa më herët ka dëshmuar dëshmitari i 51-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04446 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja Bega Joviça, u tha se dëshmitarit i ishte arrestuar vëllai i tij nga UÇK-ja e që kufoma e tij nuk u gjet më kurrë.
Në Speciale vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së
A.Bela/ RTKlive
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ndryshe edhe sot vazhdon dëshminë, dëshmitari i ZPS-së me kodin W04571, i cili ka filluar dëshminë dje përmes video-lidhjes.
Sipas përmbledhjes së shkurtër të lexuar nga ZPS-ja në sallë të gjyqit, ky dëshmitar është shqiptar i Kosovës, i cili pretendon se ishte arrestuar dhe mbajtur nga anëtarë të UÇK-së në gusht 1998 ose rreth kësaj date.
Ky është dëshmitari i 52-të i ZPS-së deri më tani.























