Kosova dhe Gjermania me Deklaratë të partneritetit për klimën dhe energjinë
BKT
Foto: Ministria e Ekonomisë
Lajme

Kosova dhe Gjermania me Deklaratë të partneritetit për klimën dhe energjinë

M.Shefkiu/RTKlive

Dy ministrat e Qeverisë së Kosovës, Artane Rizvanolli e Ekonomisë dhe Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kanë nënshkruar Deklaratën e përbashkët me ministren gjermane të Shtetit, Anne Luhrmann, për klimën dhe tranzicionin energjetik.

Kjo marrëveshje ka për qëllim të thellojë bashkëpunimin mes dy shteteve, Kosovës dhe Gjermanisë, për çështjet e mjedisit dhe energjisë.

“Marrëveshja fokusohet në: Planifikimin e Politikave Net Zero dhe Zbatimin e Ligjit të Kosovës për Ndryshime Klimatike; Tranzicionin e shpejtë dhe të drejtë të energjisë; Pjesëmarrjen e Kosovës në proceset ndërkombëtare klimatike si UNFCCC dhe COP dhe; Ngritjen ndërgjegjësimit për ndryshimet klimatike Deklarata është nënshkruar në Berlin gjatë Konferencës Dialogu i Tranzicionit të Energjisë në Berlin 2024 (BETD)”, thuhet në njoftimin për media lëshuar nga ME.

Sipas deklaratës, Kosova dhe Gjermania rikonfirmojnë përkushtimin e fuqishëm për të avancuar zbatimin e Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), Marrëveshjen e Parisit dhe vendimet e marra nga konferencat përkatëse të palëve (COP).Po ashtu marrëveshja, sipas njoftimit për media, bazohet edhe Deklaratën e Sofjes mbi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, objektivat e energjisë dhe klimës për 2030, miratuar nga Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë dhe Deklaratën e Përbashkët të Synimit ndërmjet Liderëve të Gjashtës së Ballkanit Perëndimor dhe Republikës Federale të Gjermanisë për Partneritetin Rajonal të Klimës (“Deklarata e Përbashkët Rajonale”), miratuar në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë në tetor 2023.

Sipas MD, në deklaratë janë të parapara objektivat, çështjet që mbulon Partneriteti, krijimi i dialogut dhe format tjera të bashkëpunimit.


MË SHUME NGA Lajme