Abdixhiku: Mobilizimi i LDK-së po merr formë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se në takimin e përbashkët me Kryetarët e Degëve, ka shtruar si diskutim kalendarin e takimeve në Kosovë dhe mërgatë; përgatitjet organizative për zgjedhjet nacionale.
Po ashtu, ai shkruan se në këtë takim, është folur edhe për diskutimet finale për listën e deputetëve dhe hapjen e mëtutjeshme të LDK-së ndaj secilit të djathtë që ndanë vizion të njëjtë me këtë shtëpi siç ka thënë ai ‘të demokracisë’.
“Mobilizimi ynë po merr formë. Të gjendur përballë perdes së popullizmit e propagandës; të ballafaquar me arrogancën e pushtetit; të përballur me sulmet përditshme ndaj themeleve tona të shtetësisë, Republika e Kosovës dhe populli ynë, po shndërrohen në pengje kolektive të zymtësisë e paaftësisë. Kjo zymtësi ka mbyllur Kosovën. Kjo paaftësi ka zbrazur Kosovën”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka shkruar se këmbanat tona po bien dhe se veprimi i LDK-së duhet të pasojë tani.
“Në një fat të tillë politik, aktivizimi ynë individual e i përbashkët është domosdoshmëri. Lidhja është gati. Me program, me ide, me njerëz profesionist - tani dhe me organizim”, ka shkruar i pari i LDK-së.























