Kurti: Kemi shënuar rezultate të shumta, jemi krenarë dhe ballëhapur
BKT
Lajme

Kurti: Kemi shënuar rezultate të shumta, jemi krenarë dhe ballëhapur

Sh.Çoçaj/V/Thaqi/RTKlive

(I përditësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë krenarë për arritjen e Qeverisë së tij në trevjetorin e qeverisjes. Duke shpalosur punën trevjeçare të tij si kryeministër, Kurti ka thënë se ka pasur punësim të të rinjve e formalizim të ekonomisë.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se falë mbështetjes së masave të ndërmarra nga Qeveria, mbi 30 mijë gra janë punësuar.

“Po i mbushim tre vjet qeverisje dhe kemi shënuar rezultate për të cilat jemi krenar dhe ballëhapur. Punësimi është më i lartë seç ka qenë ndonjëherë, kemi dyfish më shumë të rinj të punësuar në treg të punës, mbi 30 mijë gra më shumë kanë vende pune përmes masave dhe mbështetjes sonë direkte. Në këtë mes ka edhe formalizma të punësimit, por formalizmi i ekonomisë është përpjekje vazhdueshme e qeverive dhe kur ai ndodh është poashtu sukses i Qeverisë”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit.

Kurti tha se në ekonomi kanë zbutur edhe hendekun eksport-import duke mbështetur prodhuesit vendorë e qarkullimi i bizneseve në vitin 2023. Kurti ka thënë se në qeverisjen e tij ka më shumë sundimit të ligjit e korrupsioni po luftohet, është ulur ilegaliteti e në të njëjtën kohë është rritur ligjshmëria.

Ka përmendur edhe mbështetjen për nëna lehona e fëmijët nën 16 vjeç. Ka thënë se e kanë mbajtur premtimin që arsimi i lartë publik të jetë falas.

Sipas tij, në shëndetësi, qeveria ka kaluar nga paradigma e menaxhimit në përmirësim dhe avancim.

“Po ulim përherë e më shumë listat e pritjes, duke rritur cilësinë dhe sasinë e shërbimeve, dhe se kemi kaluar ligjin për çmimin e barnave, i cili ul shpenzimet e qytetarëve për blerjen e tyre”, tha Kurti.

Ai shtoi se po investohet në aparatura moderne në të gjitha spitalet dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për të ulur numrin e pacientëve që kërkojnë shërim jashtë vendit.

Tutje Kurti tha se vëmendjen, Qeverisë e ka pasur edhe trashëgimia kulturore ku janë restauruar mbi 100 asete të trashëgimisë  kulturore.

Murati: Nëse janë mbyllur 2 mijë biznese, 12 mijë janë hapur

Ndërkaq ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se gjatë tri viteve të qeverisjes, Kosova është vendi me borxhin më të ulët publik në Evropë. Nga viti 2019 e deri më tani, Murati deklaroi se janë shtuar vende të reja të punës përmes projekteve dhe thirrjeve të ndryshme të Qeverisë, ndërsa borxhet nga bizneset janë ulur. Ai tha se janë mijëra biznese që në mënyrë të rregullt paguajnë tatim shtetëror.

“Opozita është mësuar që po mbyllen shumë biznese. Thonë se janë dy mijë biznese të mbyllura, ama nuk i përmend 12 mijë biznese të tjera që janë hapur”, tha Murati, sipas të cilit, asnjëherë më parë nuk ka pasur mbështetje të kredive investive, që ka ndihmuar bizneset të rrisin kapacitetet e tyre për investim, më shumë se që kishte në tri vitet e fundit.

“Kemi mbështet bizneset direkt edhe me masa të punësimit. Secili biznes që ka pasë mundësi dhe nevojë, ne si shtet kemi ofruar mbështetjen tonë, duke filluar nga platforma ‘Superpuna’. Kemi pas edhe masa për mbështetjen për punësimin e grave, personave me aftësi të kufizuara e shtresave të margiinalizuara”, deklaroi ai.

Kryeministri Albin Kurti, në RTK të enjten ka theksuar se tri vitet e qeverisjes së tij ishin përplot sfida, por edhe të arritura. Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe e arritura kryesore është se Kosova është ngritur në ekonomi me rritje prej 6.2% të bruto-produktit vendor, dhe kjo rritje është shpërndarë përmes pakove të ndryshme.

Kurti ka përmendur ballafaqimin me pandeminë, inflacionin, krizën energjetike e deri tek subvencionimet ndryshme të dhëna, siç ka thënë ai gjithandej.

Kurti ka thënë se sfidat kryesore dhe që i kanë marr shumë kohë kanë qenë një dyzinë ligjesh të reformave substanciale, sociale, ekonomike dhe të drejtësisë në Kosovë, e siç shtoi ai ato kanë ngelur të bllokuara në Gjykatën Kushtetuese dhe se një pjesë e tyre janë deformuar ose anuluar. Madje i ka bërë thirrje që të garojë në zgjedhje.

Kryeministri Kurti ka folur për sistemin e drejtësisë të Kosovës.

“Sistemi i drejtësisë, nevoja për prokurorë aktiv dhe energjik, dhe për gjyqtarë, gjykatës të cilët janë të drejtë është pika ku më së shumti çalon shtet-ndërtimi demokratik në Kosovë”, ka theksuar ai.

Kryeministri dje u shpreh i kënaqur në atë se çka ka arritur si qeveri së bashku me ekipin e tij të ministrave, grupin parlamentar, me institucionet dhe agjencitë shtetërore të cilat, siç ka thënë ai kanë pasur bashkëpunim të mirë me qeverinë në këtë progres socio-ekonomik dhe demokratik.  Sipas tij, në këto tri vite qeverisje është ngritur imazhi i Kosovës në botë.


MË SHUME NGA Lajme