Shteti Islamik merr përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës në Moskë
Bardhyl Bajrami|RTK
(E plotësuar, ora 23:20) Forcat e rendit në Rusi kanë njoftuar se në vendin e ngjarjes e kanë arrestuar një person si të dyshuar për sulmin në sallën koncertale Krokus që ndodhet në periferi të Moskës ku jetën e humbën mbi 40 persona e u lënduan më shumë se 100, përfshirë edhe fëmijë.
Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Moskë, në kanalin Telegram e ka marrë i ashtuquajturi Shteti Islamik.
Megjithatë, ky lajm nuk ka mund të verifikohet nga burime të pavarura. E Gordon Corera, korrespondenti i BBC-së për Siguri ka tërhequr vërejtjen se ky grup në disa raste në të kaluarën e ka marrë përgjegjësinë edhe për sulme të cilat nuk ka pasur të bën asgjë me to.
Ndërsa me 7 mars, Shërbimi për Siguri i Rusisë, i njohur si FSB ka thënë se ka parandaluar një sulm ndaj një sinagoge në Moskë që ishte planifikuar nga një celulë e Shtetit Islamik.
Të paktën 40 persona të vrarë nga një sulm i armatosur në Moskë
Të paktën 40 persona janë vrarë e më shumë se 100 janë plagosur si pasojë e një sulmi të armatosur në një sallë koncertesh në afërsi të Moskës në Rusi. Kështu ka bërë të ditur Shërbimi Federal për Siguri i Rusisë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë e ka quajtur si sulm të përgjakshëm terrorist.
Të paktën tre persona të armatosur dhe me uniforma të kamufluara janë parë duke shtënë me armë zjarri dhe kan hedhur bomba ndezëse e sipas disa raporteve tjera, të përfshirë kanë qenë pesë.
Sipas medieve, rreth 6200 persona kanë qenë brenda objektit, në bazë të numrit të biletave të shitura për koncertin që do të mbahej aty.
Ngjarja ka ndodhur në Qendrën Krokus që ndodhet në veri të kryeqytetit rus. Ndërkohë, në disa pamje të publikuara, duket edhe zjarr e shtëllunga tymi duke dalë nga ky objekt.
Ka reaguar presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenski i cili Përmes këshilltarit Mykhailo Podolyak ka thënë se Ukraina nuk ka të bëjë asgjë me këtë ngjarje.
Të shtëna me armë zjarri është raportuar të ketë ndodhur në një sallë koncertesh në afërsi të Moskës, në Rusi. Njoftohet se ka edhe viktima.
Kurse zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurisë kombëtare, John Kirby tha të premten se ai nuk mund të fliste mbi detaljet e sulmit, por theksoi se “imazhet nga sulmi janë të tmerrshme dhe të vështira për t’u parë”. “Mendimet tona janë me viktimat e këtij sulmi të tmerrshëm me armë”, tha zoti Kirby.
Të shtëna dhe shpërthime brenda një salle të koncerteve në Moskë
Të paktën tre persona të armatosur dhe me uniforma të kamufluara janë parë duke shtënë me armë zjarri e që për pasojë, siç raportojnë agjencitë ruse të lajmeve RIA dhe TASS, ka edhe viktima e të lënduar.
Sulmuesit raportohet se kanë hedhur një grenade dhe bomba ndezëse. Ngjarja ka ndodhur në Qendrën Krokus.
Ndërkohë, në disa pamje të publikuara, duket edhe zjarr e shtëllunga tymi duke dalë nga ky objekt. Për informata tjera, ju njoftojmë në edicionet e radhës.























