Gjenerali Rrahman Rama aderon në Partinë Demokratike të Kosovës
BKT
Lajme

Gjenerali Rrahman Rama aderon në Partinë Demokratike të Kosovës

V.Thaçi / RTKlive

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në konferencën për media ka prezantuar aderimin e ri në parti, ish-komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Krasniqi, e ka falënderuar Ramën për besimin në PDK, duke thënë se ai është patriot i dëshmuar, i cili është i shquar për kontributin e tij shumëvjeçar për vendin, kudo dhe kurdo që e ka kërkuar nevoja.

“Gjenerallejtnënant Rrahman Rama, ka një jetë kushtuar përpjekjeve për çlirim dhe shtetndërtim. Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën operative të Shalës më 1998-99. Komandant i TMK-së pas luftës në Kosovë, nga viti 2015 deri në vitin 2021 ishte komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës nën lidershipin e të cilit kjo forcë gëzoi ditët e saj më të mira. Një komandant që ndërtoi ura të fuqishme bashkëpunimi në shërbim të forcimit të ushtrisë tonë me të gjithë aleatët tanë, posaçërisht SHBA-të. Një personalitet që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha fazat e transformimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ushtrinë zyrtare të Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran”, tha Krasniqi.

Kurse Rrahman Rama tha se misioni jetësor dhe krenaria e tij më e madhe është shërbimi ndaj Kosovës dhe largimi i tij nga FSK, ishte përmbushje e misionit të tij ushtarak.

“Sot, po i bashkohem shtëpisë së madhe politike – Partisë Demokratike të Kosovës, për t’i shërbyer vendit në një cilësi tjetër. PDK është parti shtetformuese e shtetndërtuese, e cila Republikën e Kosovës e ka të shenjtë dhe nuk mund ta lë në mëshirë të fatit, pavarësisht pozicionit të saj. Sidomos në një periudhë të tillë të vështirë, kur sfidat e vendit tonë janë të shumta. E posaçërisht, sfidat në fushën e sigurisë”, tha Rama.

“Për Kosovën jemi bashkë”, tha Rama.


MË SHUME NGA Lajme