Përfundon seanca, dështon zgjedhja e një anëtari të Bordit të RTK-së
A. Berisha /RTK & M. Miftari /RTKlive
(E plotësuar, 16:02) Dështon votimi i raundit të dytë për zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar.
Të dy kandidatët për anëtar të Bordit të RTK-së, Albinot Hamiti dhe Albinot Maloku, nuk morën vota të mjaftueshme për të qenë anëtar të këtij institucioni.
Komisioni konstaton se nga 61 vota të deputetëve, 53 prej tyre janë ta pavlefshme, derisa kandidati Albinot Hamiti kishte 2 vota, kurse Albinot Maloku kishte 6 vota.
Përfundon seanca e Kuvendit, nuk kalon rezoluta për kontrata njëburimore

Nuk ka kaluar pika e papërfunduar nga seanca e jashtëzakonshme, e mbajtur më 14 mars 2024, e cila kishte të bënte me ‘Propozim-rezolutën për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.
"Propozim-rezoluta për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, me 60 vota kundër nuk miratohet", tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Vazhdon seanca, nuk votohen dy projektligje

(E plotësuar, 15:46) Seanca plenare vazhdon me pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 7 mars 2024.
Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,si dhe votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti, nuk morën votat e mjaftueshme.
Këto dy pikat e rendit të ditës mbeten për shqyrtim në njërën nga seancat e radhës.
Vazhdon seanca e rregullt e Kuvendit

(E plotësuar, 15:32)
Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,si dhe votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti, nuk morën votat e mjaftueshme e rrjedhimisht këto dy pikat e rendit të ditës mbeten për shqyrtim në njërën nga seancat e radhës.
Ndërkaq pikat e rendit të ditës të cilat ishin të papërfunduara në seancat e mbajtura me 8, 14, 22 shkurt të vitit 2024, përveç projektligji për verërat, për shpronësimin e pronës së paluajtshme dhe të Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028, të gjithat projektligjet të tjera janë miratuar me shumicë të thjeshtë të votave.
(E plotësuar, 13:42)Vazhdon seanca e rregullt e Kuvendit
Vazhdon seanca e rregullt e Kuvendit, me shqyrtimin e pikave të papërfunduar nga seancat e kaluara.
Deputetët e Kuvendit në këtë seancë të rregullt plenare do të shqyrtojnë Pikat e papërfunduara nga seancat, e mbajtur më 8, 14 dhe 22 shkurt 2024.
Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra nuk kalon, në mungesë të kuorumit, ku për rrjedhojë, ky projektligji ka mbetur për seancën e radhës.
Dështon krijimi i Komisionit Hetimor për kontrata njëburimore, s’ka kuorum

(E plotësuar 13:09) Në mungesë të kuorumit nuk u votua Komisioni Hetimor për kontrata njëburimore gjatë qeverisjes Kurti.
Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum për të votuar themelimin e Komisionit Hetimor për kontratat njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.
Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca bëri të ditur se nga 63 deputetë sa ishin të pranishëm në sallë, në votim morën pjesë vetëm 26.
LVV, të cilit i takojnë 5 anëtarë, nuk dha propozimin e emrave, meqë, sipas kryetares së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari- Lila, është e paqartë kërkesa e opozitës nëse duan zgjedhje të reja parlamentare apo formim të komisionit hetimor.
Ndërkaq shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, lidhur me këtë çështje tha se nëse mbahen eventualisht zgjedhjet, mandatin duhet ta vazhdojë legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës.
“Nuk mundet me kaq lehtësi, me kaq sportivitet të anashkalohet kjo çështje”, tha Tahiri.
Ndërkohë PDK propozoi për anëtarë të këtij komisioni, Abelard Tahiri dhe Hajdar Beqa, i cili është propozuar edhe si zëvendëskryesues i komisionit.
E LDK për anëtarë të këtij Komisioni ka propozuar Hykmete Bajramin dhe Besjan Mustafajn.
Kurse, AAK për anëtar të këtij komisioni ka propozuar Pal Lekajn.
Grupi shumetnik ka propozuar që emri i kandidatit të bëhet i ditur të hënën.
Abdixhiku: Kjo praktikë ka një emër dhe ky emër është ‘tender sekret’

(E plotësuar, 12:18)
Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar kërkesën e opozitës për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimit të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe ndërmarrje publike.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke falënderuar nismën e deputetes Hykmete Bajrami për nismën për këtë seancë të jashtëzakonshme, tha se ajo që po provohet të bëhet në këtë seancë,është përshkrimi i një fenomeni, një farë paterni të shpërndarë në të gjithë sistemin publik të Kosovës.
“Kjo praktikë ka një emër dhe ky emër është ‘tender sekret’. Që ta kuptojnë qytetarët, tenderët sekretë janë shpërndarës së parasë së shtetit prej buxhetit tek operatorët, te bizneset, pa asnjë garë, pa asnjë procedurë”, tha Abdixhiku.
Ai më tej shtoi se një praktikë e tillë që nga 2021 e deri më tani është bërë 781 herë, ku, sipas tij, vlera e tyre arrin 209 milionë euro.
Abdixhiku bëri të ditur se kjo praktikë po shkon në rritje e sipër.
“Atë që ne kemi bërë si parti, është kërkimi i listës së tenderëve sekretë dhe mes kësaj liste janë dy fenomene që dalin në pah: E para ka të bëjë me KEK-un, që 112 herë ka bërë tenderë sekret. Pastaj Ministria e Punëve të Brendshme, 15 herë ka bërë tenderë sekretë”, deklaroi Abdixhiku.
Ai, lidhur me këtë rast, tha se ata do të bëjnë komision hetimor, por, sipas tij, këtë listë Prokuroria Speciale e posedon, teksa shtoi se janë të gatshëm të bëhen dëshmitarë në këtë proces.
Kreu i LDK-së, më tej tha se mosveprimi i Prokurorisë Speciale është aprovim i kësaj praktike.
Mustafa: Kuvendi nuk ka çare pa e themeluar një komision hetimor
(E plotësuar, 11:08) Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në seancën e sotme të jashtëzakonshme tha se në Ministrinë e Ekonomisë duke përfshirë edhe ndërmarrjet publike që i raportojnë prej vitit 2021 janë 151 kontrata njëburimore të negociuara në katër sy. 151 kontrata me vlerë 124 milionë euro.
"Adnan dhe LVV keni harru se kryeshefi që e keni emëruar ju në KEK është arrestuar për shkak të tenderëve njëburimor. Mos na tregon përralla. Në Ministrinë e Ekonomisë duke përfshirë edhe ndërmarrjet publike që i raportojnë prej vitit 2021 janë 151 kontrata njëburimore të negociuara në katër sy. 151 kontrata me vlerë 124 milionë euro. Ministria e Ambientit ka 69 kontrata të negociuara. Në përgjithësi në nivelin qendror është vetëm një kompani që siguron objekte, vetëm një. Janë mbi 9 milionë euro kontrata për të ruajtur ndërtesa. Ka kontrata për të marrë vetura me qera, 4 kontrata janë në vlerë mbi 400 mijë euro. O sot ose nesër, çare nuk a ka ky Kuvend pa e themeluar një komision hetimor për t'i hulumtuar këto kontrata", tha deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.
Deputetët e Kuvendit po vazhdojnë me seancën e jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës, atë të themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.
Besnik Tahiri: Kjo qeveri ka kontraktuar 781 tenderë njëburimorë

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se qeveri ka kontraktuar 781 tenderë njëburimor, të cilët janë burim i korrupsionit.
Ai tha se në KEK janë lidhur 220 kontrata njëburimore në vlerë prej 153 milionë eurove dhe se kontratat njëburimore janë përdorur në kundërshtim me ligjin derisa sipas tij e kanë ngufatë konkurrueshmërinë.
"Ka një frikë të kësaj qeverie për hetimin e tenderëve njëburimore. Një qeveri ka kontraktuar 781 tenderë njëburimor, të cilët janë burim i korrupsionit, burim i keqpërdorimit dhe e ngulfat konkurrueshmërinë në sektorin privat", tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Tahiri: Për dy vjet janë rreth 220 kontrata njëburimore

Foto: Arbresha Berisha
(E plotësuar, 10:48) Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar kërkesën e opozitës për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimit të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe ndërmarrje publike.
Me këtë rast, nga opozita ngritën akuza për abuzime në lidhjen e kontratave, për çka edhe kërkuan hetime nga prokuroria.
"Do të donim që sot së bashku me neve të ishin edhe disa ministra. Ata që kanë qenë bartësit më të mëdhenjtë të këtyre kontratave. Unë besoj që ka kontrata që kanë bazë ligjore, siç është çështja e librave. Mirëpo në hulumtimin që kemi bërë si grup parlamentar, për dy vite 2022-2023 janë rreth 220 kontrata njëburimore. Shuma e këtyre kontrata shkon rreth 200 milionë euro. E dimë që është një sfidë jashtëzakonisht e madhe. Me qenë 11 prokurorë me safë mbështetës është kogja sfiduese për t'i hulumtuar këto kontrata. Mirëpo ne duhet ta shohim se sa janë të arsyeshme këto kontrata", tha kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Rrustemi: Në kontratat që qeveria aktuale ka lidhur s'ka asgjë të dyshimtë

Kurse, sipas deputetit të LVV-së, nga paretia në pushtet, Adnan Rrustemi, nga viti 2008-2014 kur ka udhëhequr PDK, 448 milionë euro ka qenë shuma e shpenzuar në kontrata një burimore. Kurse kur ka udhëhequr LDK ka qenë 158 milionë euro, ndërsa kur ka qeverisur AAK ka qenë 120 milionë euro.
“Më lëni të ju sqaroj se nga 153.8 milionë euro që ka prezantuar opozita e në arsyetimin e saj në këtë seancë, 101 milionë janë vetëm për Koorporatën Energjetike të Kosovës. E them me bindje të plotë se në këto kontrata nuk ka asgjë të dyshimtë. E kuptoj që shumë nga ju deputetë të opozitës edhe mund të jeni ekspertë të kontratave njëburimore, por duhet ta dini se ka ikur koha juaj", tha deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi.
Rrustemi ka shtuar se në kontratat që Qeveria aktuale ka lidhur nuk ka asgjë të dyshimtë. Sipas tij, opozita po do ta fitojë besimin e qytetarëve me komisione hetimore të tilla si për çështjen e tenderëve njëburimorë.

(E plotësuar, 10:41) Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të diskutohet Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.
Fillimisht kryetari i Kosovës, Glauk Konjufca, kërkoi një minutë heshtje për viktimat e shumta që u kujtuan këto ditë, si në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Izbicë, në Skenderaj në Podujevë, në familjen Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu.
Ai gjithashtu në emër të Kuvendit i ka shprehur ngushëllime senatit amerikan, për vdekjen e siç ka thënë, mikut të madh të shqiptarëve, ish-senatorit Joe Lieberman.
Sipas të dhënave që ka prezantuar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, gjatë Qeverisë Kurti II, janë nënshkruar mbi 1800 kontrata njëburimore në vlerë mbi 240 milionë euro. Për këto të dhëna, ajo i është referuar Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së Mimoza Kusari Lila, pas mbledhjes së Kryesisë, më 25 mars, ka thënë se të enjten do të mbahen dy seanca plenare.
“Në agjendën e seancave plenarë për këtë javë më 28 mars në orën 10 seanca e jashtëzakonshme, seancë kjo që synon themelimin e komisionit parlamentar për kontratat e negociuara. Në orën 12 seanca me vazhdimin e pikave te pa përfunduar. Kryesia është dakorduar të mbajë seancë të veçantë me datën 11 prill në përvjetorin e betejës së Koshares”, ka thënë ajo.
Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme.
Sh. Ç /RTKlive
Në orën 10 pritet që Kuvendi i Kosovës të fillojë seancën e jashtëzakonshme për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe ndërmarrje publike qendrore.
Sipas të dhënave që ka prezantuar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, gjatë Qeverisë Kurti 2, janë nënshkruar mbi 1800 kontrata njëburimore në vlerë mbi 240 milionë euro. Për këto të dhëna, ajo i është referuar Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik.
Për këto të dhëna ajo i është referuar Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik.
Sipas Bajramit, këto kontrata janë burim i korrupsionit.
Ndërkohë, nga ora 12:00, do të vazhdojë seanca plenare me pikat e papërfunduara nga seancat e 8, 14 dhe 22 shkurtit:
Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme,
Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-278 për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave,
Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,
Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022,
Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022,
Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022,
Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes,
Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.2003/5 për farërat,
Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit,
Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 – 2021”.
II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 7 mars 2024:
Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,
Votimi i raundit të dytë për zgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptarë,
Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2022,
Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2022.
III. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 14 mars 2024:
Votimi i Propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.























