Petkoviq: Anëtarësimi i Kosovës në KiE, gjest armiqësor karshi Serbisë
B. H. | RTKlive
Shefi i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte një “gjest armiqësor karshi Serbisë”.
Ai ka thënë se autoritetet në Beograd nuk do të ndalet së kundërshtuari një gjë të tillë në mënyrë procedurale të “hapur e politikisht”.
Ai përmes një postimi në komunikate për media ka thënë se ekziston një dëshirë për nxitim, për siç ka thënë “zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, për shkak të interesave gjeostrategjike që kanë pak të bëjnë qoftë me Beogradin apo Prishtinën”.
Tutje ai i është drejtuar faktorit ndërkombëtar me tone kërcënuese rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE. “Ata që vendosin për këtë le të mendojnë me kujdes nëse anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të kontribuojë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në kontinentin tonë, apo nëse do të kishte efektin e kundërt”, tha Petkoviq dhe shtoi: “Do të ishte qartësisht një gjest armiqësor karshi Serbisë, e cila deri më tani ka qenë anëtare aktive dhe e përkushtuar e kësaj organizate ndërkombëtare”.
Dje Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku u rekomandua që shteti ynë ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.























