`Kopshti i hijeve’, Kurti: Narracioni ishte teatral, por historia e vërtetë
N.M. /RTKlive
Kryeministri i vendit Albin kurti, ka folur për shfaqjen teatrale “Kopshti i hijeve” nga Sarah Hehir, me regji të Nastazja Domaradzka, që u dha mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Kurti në një postim në Facebook, tha se shfaqja teatrale “Kopshti i hijeve” mbrëmë solli rrëfimin e masakrës së familjes Bogujevci në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Kopshti me diell pret festën e madhe të ditës së lindjes së Norës. Pastaj, kopshtin e mbuluan hijet. Dita u bë 2000 orë. Të shtëna. Tanke. Sirena. U kthyem pas në 28 marsin e vitit 1999, në kopshtin e familjes Bogujevci. Kënga e vallja e fëmijëve u ndal. I rreshtuan te muri. “Ata janë veҫ fëmijë!” ishin fjalët e fundit të Nënës. “Shkorpionët” e Serbisë hapën zjarr. Qëlluan me plumba”, shkruan ai.
Kurti sqaron se pesë nga fëmijët mbijetuan, përkundër 32 plumbave që shpuan trupat e tyre. Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genci. Shfaqja teatrale “Kopshti i hijeve” nga Sarah Hehir, me regji të Nastazja Domaradzka, mbrëmë solli rrëfimin e masakrës së familjes Bogujevci në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Narracioni ishte teatral, por historia e vërtetë. Personazhet ishin aktorë, por emrat ishin të vërtetë. Disa role i kishim në skenë, e personazhin e vërtetë në audiencë. Kopshti është ende aty. Skena ishte teatrale, por rrëfimet e përjetimet reale. Ashtu do të mbeten përherë në kujtesën tonë. Siç thanë personazhet, asgjë kurrë nuk mundet me u humb e as me u harru”, ka shkruar Kurti në Facebook.























