Vuçiq për dinarin:Serbisë po i kërkohet ta shesë Bankën e Kursimeve Postare
BKT
Foto arkiv
Lajme

Vuçiq për dinarin:Serbisë po i kërkohet ta shesë Bankën e Kursimeve Postare

REL

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të premten duke folur për dinarin e ndaluar në Kosovës se Serbisë po i kërkohet t’ia “shesë” bankës Raiffeisen apo ndonjë banke tjetër, bankën serbe, Kursimora e Postës.

Një një fjalim televiziv para popullit në Beograd, ai nuk dha hollësi të tjera rreth kësaj, por nguli këmbë se Serbia “nuk mund dhe nuk do të pranojë heqjen e dinarit” nga përdorimi në Kosovë.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Serbët e Kosovës që nga paslufta kanë marrë pagesa në dinarë nga shteti serb edhe përmes degës së Kursimorës së Postës në Kosovë, e cila është njëra nga bankat më të mëdha serbe.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u takuan dy herë në Bruksel këtë muaj për të diskutuar për çështjen e dinarit, por dallimet mes tyre vazhdojnë të jenë të mëdha dhe Bashkimi Evropian njoftoi për një takim të ri në prill.

Kryenegociatori serb Petar Petkoviq tha këtë javë se pala serbe do të përpiqet që të vazhdojë funksionimi i bankës së Serbisë në Kosovë, në mënyrë që serbët të marrin pagat, pensionet dhe ndihmën tjetër.

Për Këshillin e Evropës

Vuçiq paralajmëroi se Serbia do të marrë “vendim serioz” për Këshillin e Evropës, nëse kjo organizatë evropiane e pranon Kosovën si anëtare.

“Ne do të vazhdojmë të flasim për Kosovën, do të marrim edhe vendime për Këshillin e Evropës”, tha ai.

“Mendoj se reagimi i Serbisë duhet të jetë i fortë, serioz dhe i përgjegjshëm”, tha Vuçiq pa shpjeguar se cili do të jetë vendimi i vendit të tij nëse Kosova bëhet anëtarja më e re e Këshillit të Evropës muajt e ardhshëm.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Vuçiq tha se disa emisarë perëndimorë i kanë thënë “në disa raste se është Kosova ajo që së pari duhet të ndërmarrë një hap në lidhje me themelimin e Asociacionit, para çdo hapi nga Serbia”.

Në mesin e emisarëve që Vuçiq pretendon se ia thanë këtë, janë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Vuçiq paralajmëroi takime “të rëndësishme” dhe shtoi se kishte marrë një ftesë nga presidenti francez, Emmanuel Macron, për një vizitë dhe “se së shpejti” do të diskutonte për Asociacionin.


MË SHUME NGA Lajme