Daullet në përkujtim të Jezu Krishtit
Hanife Osmani /RTK
Në kujtim të vdekjes së Krishtit vazhdon tradita e vjetër e të Premtes së Madhe në fshatin Kalanda të Spanjës. Mijëra bateristë bashkojnë muzikën dhe artin njëherazi 24 orë pa pushim.
Në fshatin Kalanda të Spanjës, mijëra persona u mblodhën për t’i rënë daulleve njëherazi në mesditën e së Premtes së Madhe. Muzika, arti dhe ngjyra bashkohen në mënyrë magjike, ku të njëjtit formojnë grupe në mënyrë spontane rreth kishës lokale dhe fillojnë ritme, pak a shumë, arbitrare.
Ky ritual në kujtim të vdekjes së Krishtit nis në mesditën e së Premtes së Madhe dhe përfundon saktësisht një ditë më vonë të Shtunën e Pashkëve. Për njëzet e katër orë dhe pa pauza apo kompozime të orkestruara, bandat që u bien baterive banojnë gjatë kësaj kohe në rrugët e Kandës.
Kur një grup takohet me një grup tjetër, ata fillojnë duelin, derisa të gjithë bateristët e gjejnë veten në një mendje dhe në përputhje me një ritëm të caktuar. Gjatë festimeve të javës së Pashkëve, zhurma e daulleve mund të dëgjohet në çdo cep të këtyre fshatrave në jug të rajonit të Aragón.
Momenti më i shumëpritur i festimeve në Kalanda është "rompida de la hora" (pushimi i orës).
Java e Pashkëve është një nga festat më të përzemërta dhe me rrënjë të thella që festohet në Spanjë. Ky përkujtim ka histori dhe traditë shekullore, i cili kujton pasionin dhe vdekjen e Jezu Krishtit.























