Ulet çmimi i rrymës për pjesën e shpenzuar mbi blloktarifë
M.Miftari/RTKlive
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në mbledhjen e sotme ka aprovuar tarifat me pakicë për konsumatorët fundor që furnizohen në kushte të shërbimit universal.
“Rënia e çmimeve në tregjet e energjisë elektrike në Evropë ka ndikuar në kostot me shumicë të energjisë elektrike në Kosovë. Si rezultat i këtyre ndryshimeve, kostot e furnizimit me energji elektrike nga importi për konsumatorët fundor për vitin 2024 parashihen të jenë më të ulëta në krahasim me vitet e paraprake. Këto ndryshime kanë ndikuar në uljen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët fundor si vijon: Ulje e tarifave prej 8% për konsumatorët familjar për bllokun me konsum mbi 800kWh; Ulje e tarifave prej 3% për konsumatorët komercial dhe industrial”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.
Deri para këtij vendimi çdo shpenzim mbi 800 kilovatë ka kushtuar 14.45 centë për tarifën e lartë dhe 6.81 centë për tarifën e ulët, derisa me zbritje çmimi i kilovatit të shpenzuar mbi blloktarifë kushton 13.29 centë për tarifën e lartë dhe 6.26 për tarifën e ulët.























