Haradinaj: Kosova u bë vend më i varfër me njerëz që ikin përditë
BKT
Foto arkiv
Lajme

Haradinaj: Kosova u bë vend më i varfër me njerëz që ikin përditë

Gentiana Kelmendi|RTKlive

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova është bërë një vend i varfër e me njerëz që largohen përditë. Sipas tij, çmimet e artikujve elementarë janë të papërballueshëm edhe për familjet që kanë 2 apo 3 të punësuar.

Duke e quajtur gjuhën e kryeministrit si “gjuhë e mashtrimit”, Haradinaj tha se Kurti mashtroi qytetarët edhe para se të vinte në pushtet.

"Gjuha e sotme e Albin Kurtit, është ajo gjuha e tij e mashtrimit e para zgjedhjeve të fundit. Edhe atëherë i mashtronte qytetarët se sa do të lirohet vaji, sheqeri, buka, rryma e se si do të bënte çudi për mirëqenien e popullit, por nën qeverisjen e tij, Kosova u bë një vend i varfër e me njerëz që largohen përditë prej tij.

Edhe sot mashtron se si qeveria e tij e paska pasur pakon më të madhe mbështetëse për qytetarët në Ballkan, gjë që është mashtrim ordiner. I përmend ndihmat sociale prej 100 eurove si sukses të madh, e nuk i përmend pagat më të ulëta në Ballkan. E përmend subvencionimin e rrymës, e nuk thotë se rritja e çmimit të energjisë është shumëfishuar nën qeverisjen e tij. E përmend përballjen me inflacionin, por nuk thotë se çmimet e artikujve elementar të jetesës janë bërë të papërballueshëm edhe për familjet me nga 2 e 3 të punësuar", ka shkruar mes tjerash Haradinaj.


MË SHUME NGA Lajme