Tërmeti në Taivan, shkon në nëntë numri i personave që humbën jetën
BKT
Lajme

Tërmeti në Taivan, shkon në nëntë numri i personave që humbën jetën

Muharrem Miftari /RTKlive

(E plotësuar, ora 12:35)Tërmeti më i fortë i Tajvanit në një çerek shekulli tronditi ishullin gjatë orës së pikut të mëngjesit të së mërkurës, duke dëmtuar ndërtesa dhe autostrada dhe duke lënë të vdekur nëntë persona.

Agjencia Kombëtare e Zjarrfikësve të Tajvanit tha se nëntë persona vdiqën nga tërmeti, i cili goditi pak para orës 8 të mëngjesit. Gazeta lokale "United Daily News" raportoi se tre alpinistë vdiqën nga rrëshqitjet e gurëve në "Parkun Kombëtar Taroko" dhe një shofer furgoni vdiq në të njëjtën zonë, pasi gurët goditën automjetin, njoftojnë mediet e huaja, transmeton RTKlive.

Tutje, agjencia tha se autoritetet kanë humbur kontaktet me 50 persona në minibusë, pasi tërmeti rrëzoi rrjetet telefonike. Më shumë se 70 persona të tjerë janë bllokuar, por besohet se janë gjallë, duke përfshirë disa në një minierë qymyri. 882 të tjerë janë plagosur.

"Tërmeti ishte 7.2 ballë, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së e vlerësoi atë në 7.4. Ai goditi rreth 18 kilometra (11.1 milje) në jug-jugperëndim të Hualien dhe ishte rreth 35 kilometra (21 milje) i thellë. Pasuan pasgoditje të shumta dhe USGS tha se një nga tërmetet pasuese ishte 6.5 ballë dhe 11.8 kilometra (7 milje) të thellë. Tërmetet më të cekëta priren të shkaktojnë më shumë dëme në sipërfaqe. Tërmeti shkaktoi një paralajmërim cunami që më vonë u hoq", njofton Agjencia e Monitorimit të Tërmeteve të Tajvanit.

Autoritetet thanë se kishin pritur një tërmet relativisht të butë me magnitudë 4 dhe për rrjedhojë nuk dërguan alarme. Megjithatë, tërmeti ishte mjaft i fortë për të trembur njerëzit që janë mësuar me lëkundje të tilla.

(E plotësuar, ora 09: 55)Tërmeti në Taivan, shkon në shtatë numri i personave që humbën jetën

Të paktën shtatë persona janë raportuar të vdekur dhe të paktën 711 persona janë plagosur, nga tërmeti që goditi Taivanin, duke bërë që autoritetet të bëjnë paralajmërimin për cunami edhe në shtetet tjera përreth.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së epiqendra e tërmetit ishte në afërsi të bregut, në jug të qytetit Hualien, por ai u ndje edhe në kryeqytetin Taipei në anën tjetër të ishullit.

Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve po raportojnë për ndërprerje të energjisë elektrike, ndërtesa të shembura dhe njerëz të bllokuar. Një fotografi tregon se si një ndërtesë pesëkatëshe është përmbysur gjatë gjithë rrugës në Hualien.

Sipas autoriteteve tajvaneze, 26 ndërtesa janë shembur dhe të paktën 711 persona janë lënduar. Po sipas autoritetevetë këtij vendi, të paktën shtatë persona kanë vdekur, shkruajnë mediet ndërkombëtare, transmeton RTKlive.

Nga tërmeti në Taivan, autoritetet japoneze lëshuan një paralajmërim për cunami për grupin e ishullit jugor të Okinawas.

Një valë e parë e vogël goditi ishujt japonezë rreth 15 minuta pas tërmetit, por paralajmërimi përfshin një lartësi vale deri në tre metra dhe, sipas mesazhit, valë më të mëdha mund të vinin më vonë.

Tajvani dhe Filipinet lëshuan, gjithashtu, paralajmërime për cunami dhe urdhëruan evakuime bregdetare. Por, rreth një orë më vonë, u njoftua se rreziku kishte mbaruar dhe se nuk pritej ndonjë cunami i madh.

Tërmeti në Tajvan besohet të jetë më i forti në vend në 25 vitet e fundit dhe është pasuar nga disa pasgoditje.

“Ishte afër tokës dhe është i cekët. Është ndjerë në të gjithë Tajvanin dhe në ishujt jashtë bregdetit”, tha për mediet e huaja Wu Chien-fu, kreu i autoritetit për motin.

(E plotësuar, ora 08: 45)Tajvani goditet nga një tërmet i fuqishëm, të paktën katër të vdekur

Bardhyl Bajrami /RTK

Tajvani është goditur nga një termet me magnitudë 7.4 e që është më i fuqishmi në 25 vjet. Zyrtarët kanë konfirmuar vdekjen e të paktën 4 personave ndërsa ekipet e shpëtimit po i nxjerrin nga rrënojat personat e ngujuar.

Sipas Institutit gjeologjik amerikan, epiqendra e këtij tërmeti ishte 18 km në jug të qytetin Hualien.

Lëkundjet janë ndjerë edhe në kryeqytetin Taipei. Pas tërmetit, në Tajvan dhe vendet përreth janë dhënë paralajmërimet për cunami, mirëpo disa nga vendet tashmë i kanë tërhequr ato.

Në Japoni, në ishullin Yonaguni është regjistruar një cunami 30 cm, ndërsa në ishullin Ishigaki një prej 20 cm.

Tajvani goditet nga një tërmet i fuqishëm

N.Mekolli /RTKlive

Bregdeti lindor i Tajvanit është goditur nga një tërmet me magnitudë 7.4 ballë. Pasuan një seri tërmetesh pak më të dobëta, më i forti prej të cilëve ishte rreth 6 gradë.

Japonia dhe Tajvani lëshuan menjëherë një paralajmërim për cunami.

Epiqendra e tërmetit ndodhej rreth 18 kilometra në jug të qytetit Hualien dhe ndërtesa dhe shtëpi të dëmtuara u raportuan gjithashtu në atë zonë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Tajvanit.

Pjesëtarë të ushtrisë u dërguan në terren për të ndihmuar viktimat, dhe shkollat ​​dhe shumë vende pune u mbyllën pas tërmetit.

Në rrjetet sociale janë shfaqur edhe videot e tërmetit të tmerrshëm, si dhe dëmet që ka shkaktuar.


MË SHUME NGA Lajme