Kurti në iftar me familjet e heronjve Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku
E. Hoti / RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se ka takuar sot familjet e Heronjve të Kosovës, Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku, që të dy pjesëtarë të policisë së Kosovës të rënë në detyrë në pjesën veriore të Kosovës.
Në një postim në 'Facebook', Kurti ka shkruar se në këtë mbrëmje kanë përkujtuar policët shembullorë që dhanë jetën e tyre për Republikën.
“Me zonjën Dritë Zymeri, djalin Sokolin dhe vajzat Luljetën e Rinesën, me zonjën Fexhrije Bunjaku dhe Lumnije Bunjaku dhe me djemtë Jetlumin e Fatlumin. Enveri do të festonte sonte ditëlindjen e 45-të. Atë dhe Afrimin i bën të përjetshëm vepra e tyre. Në këtë mbrëmje të iftarit përkujtuam policët shembullorë që dhanë jetën e tyre për Republikën”, ka shkruar Kurti në 'Facebook'.
Ai ka thënë tutje se jeta e këtyre dëshmorëve është frymëzim që të jetohet dhe punohet sipas parimeve të trashëgimisë së tyre.
“Mes mallit dhe krenarisë për ta, i kujtojmë e i nderojmë për çfarë dhanë për vendin dhe për atë që lanë pas. Jeta e tyre është frymëzim që të vazhdojmë të jetojmë e punojmë sipas parimeve të trashëgimisë së tyre, guxim, përkushtim dhe dashuri për atdheun”, ka shkruar Kurti.























